Hoxhaj: Serbia na godet nëpër botë, Konjufca merret me lista ambasadorësh

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar rreth lajmit për tërheqjen e njohjes për Republikën e Kosovës nga Sierra Leone. Ai, gjithashtu ka komentuar edhe kërkesën e qeverisë, përkatësisht ministrit të jashtëm, Glauk Konjufca, për largimin e ambasadorëve, transmeton RTK.

Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka thënë se derisa Serbia po e godet Kosovën kudo nëpër botë, ministri i jashtëm i Kosovës merret me lista të ambasadorëve.

Hoxhaj, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se në vend se kjo qeveri të merret me arsyet dhe rrethanat e tërheqjes se njohjes nga Sierra Leone dhe me parandalimin e tërheqjeve tjera eventuale, ajo merret me tema fiktive, akte populiste, vendime për efekte elektorale

Deputeti i PDK-së, ka thënë se Qeveria në vazhdimësi po i ik përgjegjësisë së dështimit në politikën e jashtme dhe përgjegjësisë reale për vazhdimin e dialogut.

Hoxhaj, ka thënë se skandalin e sotëm të tërheqjes së njohjes nga Sierra Leone, qeveria e re po e mbulon me kërkesën për tërheqjen e shtatë ambasadorëve.

Statusi i plotë i Enver Hoxhajt në Facebook:

Çfarë është më jetike për vendin? Tërheqja e njohjeve apo tërheqjet e ambasadorëve?

Ministri i jashtëm i Serbisë po godet Kosovën kudo ku mundet nëpër botë. Ministri i jashtëm i Kosovës merret me tema të brendshme dhe me lista të ambasadorëve!

Në vend se kjo qeveri të merret me parandalimin e tërheqjeve tjera eventuale, qeveria e re merret me tema fiktive, akte populiste, vendime për efekte elektorale… dhe në vazhdimësi po i ik përgjegjësisë së dështimit në politiken e jashtme dhe përgjegjësisë reale për vazhdimin e dialogut.

Skandalin e sotëm të tërheqjes së njohjes nga Sierra Leone, qeveria e re po e mbulon me kërkesën për tërheqjen e shtatë ambasadorëve të respektuar e profesional, që i kanë shërbyer gjatë Kosovës.

Politika e jashtme dhe përfaqësimi i Kosovës po rezulton të jetë pika më e dobët e kësaj qeverie. Kemi konfrontimin e drejtpërdrejtë me Amerikën, përkeqësimin e raporteve me Shqipërinë, tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone dhe çuditërisht, shprehjen e vullnetit të mirë ndaj Serbisë.

Politika e jashtme nuk bëhet duke u hakmarrë! Ajo nuk do duhej të reflektojë ndasitë e politikës së brendshme. Kosova duhet të ketë vazhdimësi e përfaqesim unitar në marrëdhenie me jashtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button