Ismail D. nga Shkupi është ndër ata shumë kryefamiljarë të cilët edhe në temperature minus 15 gradë Celsius që kanë kapluar Maqedoninë tenton të sigurojë bukën për gjashtë anëtarët e familjes së tij.
Vetë standardi i jetës së qytetarit të Maqedoninë flet se me shumë vështirësi e siguron kafshatën e gojës dhe me afro 32 për qind e popullsisë janë të pa punë, bazuar në shifra zyrtare.
Ismaili rrëfen për jetën e tij të rëndë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet çdo ditë.
‘Unë çdo ditë nga ora 9 e mëngjesit e deri në orën 5 pasdite jam këtu në rrugë. Shes gjëra të ndryshme në të zezë, unë nuk kam mundësi të marr tezgë me qira dhe ta paguaj atë nga 5 mijë denarë në ditë, sepse aq të holla nuk i siguroj gjatë gjithë muajit. Shpesh ndodh të dëbohemi nga policia, të na marrin gjithë mallin dhe të na lënë pa asgjë’ thotë Ismail D.
Ai është nikoqiri i familjes gjashtë anëtarësh nga lagjja Dizhon, dhe i vetmi burim financiar në këtë shtëpi është kjo kuti e improvizuar në formë tezge.
‘Unë kam bashkëshorten dhe katër fëmijët, nuk marr as një ndihmë sociale nga shteti, fëmijët janë nëpër shkolla, shtëpia jonë është e vjetër. Jeta është shumë e vështirë, punoj me orë të tëra këtu, ndodh që në fund të ditës të mos kem fitim as 100 denarë. Me të vërtetë është shumë rëndë, qëndroni vetëm 5 minuta jashtë do të bllokoheni nga të ftohti, e ne çdo ditë këtu me orë të tëra në temperature minus 15 gradë, është katastrofë e madhe’ tha Ismaili.
Maqedonia me shkallë prej 31.4 për qind të papunësisë gjendet në vendin e 21-të në rang listën prej 199 vendeve të botës, kështu flasin të dhënat zyrtare të hulumtimeve botërore./Portalb