Site icon PORTALB

Kurti jep detaje rreth takimit qeveritar në Prevallë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në mbledhjen e sotme gjithëditore që po mbahet në hotel “Sharr” në Prevallë të Prizrenit, u prezantua Drafti i Programit Qeverisës për të cilin diskutoi secili ministër.

Ai ka shtuar se tash po vazhdohet me paraqitjen e prioriteteve afatshkurtra e afatmesme, si dhe të veprimtarive e masave legjislative e politike të ministrive përkatëse, transmeton Klan Kosova.

“Në fund do ta hartojmë kornizën e planit të punës dhe organizimin e veprimit ndërministror sipas prioriteteve dhe sektorëve”.

Më poshtë mund ta lexoni tekstin e fjalës së tij hyrëse:

Mirëmëngjesi të nderuar ministra dhe zëvendës kryeministra,

Shpresoj se keni fjetur mirë të gjithë.

Ditët e orarin e punës i kemi zgjatur por si këmbim ju ftoj të shijoni bukuritë e Sharrit e sidomos ajrin të cili do të na bëjë mirë këtë ditë.

Ende nuk janë bërë një muaj qeverisje, por janë bërë shumë punë.

Kemi filluar me çkapjen e shtetit nga shpërdorimi duke përmirësuar bordet e ndërmarrjeve publike në të cilat ka pasur keqpërdorime të parasë publike, por edhe të keqmenaxhimit duke shkaktuar humbje.

Kemi reduktuar pushtetin dhe kemi ndalë shpenzimet që të kuptojmë se ku qëndrojmë, çka po shpenzojmë dhe, më e rendësishmja, për çka po shpenzojmë.

Unë jam për të reduktuar e kursyer shpenzimet e panevojshme që nuk sjellin as rritje të mirqenies, e as nuk krijojnë vende të reja të punës, por jam për të rritur shpenzimet në investime të cilat janë mirë të planifikuara e të studiuara dhe që krijojnë vende të reja të punës në sektorë të qëndrueshëm.

Këtë do ta bëjmë dhe këtë duhet ta bëjmë.

Tashmë kemi edhe një draft të programit qeverisës i cili ka 41 faqe e që derivon nga marrëveshja jonë e koalicionit.

Ky program qeverisës pasqyron orientimet e përgjithshme të qeverisë, qasjen dhe parimet, prioritetet dhe iniciativat si dhe vendimet që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend në të gjitha fushat e përgjegjësisë.

Temat kryesore janë:

  1. Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit,
    2. Zhvillimi ekonomik,
    3. Arsimi dhe shkenca,
    4. Shëndetësia,
    5. Politikat sociale,
    6. Infrastruktura,
    7. Mjedisi, energjia dhe minierat,
    8. Kultura, rinia dhe sporti,
    9. Mbrojtja dhe siguria, si dhe
    10. Politika e jashtme, integrimi dhe mërgata.

Tashmë kemi folur shumë për secilën temë dhe besoj se e dimë përmendësh se çka do të bëhet, por mirë është të rikujtojmë.

Do të kemi një qeveri e cila planifikon dhe analizon para se të ekzekutojë vendime e të realizojë punime, e cila promovon sundimin e ligjit, që redukton shpenzimet financiare, përmirëson menaxhimin e financave publike dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike, që modernizon administratën publike dhe rritë transparencën llogaridhënien.

Këto janë temat e çështjet në të cilat këtë vit qeveria duhet të punojë që të japë rezultatet e para.

Sfidat janë të shumta sepse problemet që përballemi janë të mëdha, por ne nuk do të ikim nga problemet e as t’i evitojmë ato.

Ajo që nuk do të duhej të bënim është që të sfidojmë njëri-tjetrin.

Kërkohet bashkëpunim dhe përkrahje sepse prioritet kemi qytetarin, mirëqenia e tij është matësi i progresit dhe i suksesit tonë.

Natyrisht është përgjegjësi e jona si qeveri që të ofrojmë lidership. Vendi ynë ka nevojë për hapje të mundësive për lëvizje të lirë, për investime e për tregti, këtë e kuptojmë dhe për këtë punojmë.

Por, para se ky të jetë synim e motiv duhet të jetë përgjegjësi. Ne jemi pasqyra ku qytetarët shohin vetveten në shtetin e tyre. Nuk është vetëm cilësia e vendimeve që marrim por edhe mënyra se si ne e ushtrojmë funksionin ajo që tregon për modelin tonë qeverisës. Të punojmë me përulësi e thjeshtësi, por me shumë profesionalizëm e përkushtim.

Është më mirë të marrim me shumë seriozitet përgjegjësitë që kemi se sa të shqetësohemi se si dukemi.

Udhëtimet jashtë e brenda vendit janë në funksion të arritjes së qëllimeve programore e objektivave shtetrore e jo në funksion të vetvetes.

Jam i bindur që secili nga ju tashmë keni entuziazmin për të arritur qëllimet në këtë program sepse entuziazmi juaj buron nga qytetarët tanë dhe devocioni juaj. Në çdo intervistë ata janë të mbushur me shpresë se do të bëhet mirë më në fund.

Mundësinë e kemi, vullnetin dhe kapacitetin gjithashtu, prandaj le të mos ngatërrohemi me njëri-tjetrin, por të shikojmë kah vetja.

Përvojën e dijen që keni, mundësia që na është dhënë, le të përdoren për të mirë. Ky është shansi unik që secili nga ne të jap maksimumin.

Zyra ime është e hapur çdo ditë për secilin. Në punë dhe ide të mira mua më keni prapa në secilin hap edhe me buxhet edhe me përkrahje.

Sfida ka plot, por po ashtu jemi me plot shpresë.

Fillimin e kemi të mbarë, prandaj le të vazhdojmë me punë dhe angazhim.

Në këto 100 ditë punë, le të bëjmë gara për arritjen e objektivave e jo me njëri-tjetrin. Ne jemi anëtarë të të njëjtit ekip. Neve na bën ata që jemi ekipi, dhe çdonjëri nga ne e përbën ekipin. Ekipi na e jep kuptimin, ne ia japim përmbajtjen.

Unë dua t’ju përgëzoj për punën e mirë të deritashme që keni bërë secili prej jush, zëvendës kryeministra e ministra dhe të gjitha ekipet e secilit prej jush këtu.

Exit mobile version