Site icon PORTALB

Zaevi premtoi 100 mijë vende të reja pune, 36 mijë denarë pagë mesatare dhe 18 mijë pagë minimale

Kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev

Zoran Zaev

100 mijë vende të reja të punës në tërë mandatin katërvjeçar, premtoi sot lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, duke e paraqitur programin ekonomik në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, njofton Portalb.mk.

Zaevi paralajmëroi mbështetje prej 600 milionë eurove për biznesin, gjegjësisht 300 milionë euro mbështetje për investimet e brendshme dhe të huaja dhe 300 milionë euro mjete evropiane për zhvillim të ekonomisë së brendshme.

Me këtë, ashtu siç tha Zaev, papunësia e cila është 17,1% do të ulet në 8%, gjegjësisht nën 20% te të rinjtë, që është tani 35%.

Zaev tha se në mandatin e ri do të propozojë rritje të rrogave, gjegjësisht rroga mesatare do të rritet në 36 mijë denarë, ndërkaq ajo minimale në 18 mijë denarë.

Një pjesë e planeve që i ka paraqitur janë edhe për 20% rroga më të mëdha në arsim dhe shëndetësi, avancim të kushteve për punë në industrinë e Teknologjisë Informatike në të cilin sektor premtohet se do të ulet tatimi personal në 0% në vitin 2023.

“Në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar do të kemi kërcim të madh të ekonomisë sonë, do ta ulim papunësinë dhe do t’i rrisim rrogat. Edhe më shumë i përkrahim ndërmarrjet e brendshme, ndërkaq me anëtarësimin në NATO do të sjellim investime të huaja”, tha Zaev.

Exit mobile version