Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim raportuesen e Parlamentit Evropian, Isabel Santos, ku i shprehu mirënjohjen për ndihmën që institucionet evropiane dhe vendet anëtare dhanë në ndihmë të popullit shqiptar, transmeton OraNews.
Presidenti Meta ngriti shqetësimin se lakmia e shumicës për të kapur me çdo mjet antikushtetues Gjykatën Kushtetuese cenon integritetin e këtij institucioni kyç për llogaridhënien qeverisëse dhe kompromenton rëndë vullnetin e kësaj shumice për të çelur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, miratimi i ligjit antikushtetues ditën e mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias dëshmon mungesën e thellë të respektit ndaj këtij institucioni ndërkombëtar, dhe fakton se qëllimi i vetëm i kësaj shumice është rikthimi i diktaturës përmes “mjeteve ligjore”.
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Isabell Santos, pas takimeve me shumicën dhe opozitën kërkoi unitet të politikës dhe vijimin e reformave që çojnë para vendin tonë drejt BE.
Nga Tirana Santos apeloi politikën shqiptare që të marrë përsipër përgjegjësitë për të bërë detyrat e shtëpisë dhe të mos drejtojë gishtin nga BE-ja.