Site icon PORTALB

Xhaferi e ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për më 12 prill

Talat Xhaferi

Talat Xhaferi

Pas shpërndarjes së Kuvendit, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi i ka shpallur zgjedhjet parlamentare për më 12 prill, njofton Portalb.mk.

“Të njëjtin, në bazë të Nenit 12, paragrafi (2) i Kodit Zgjedhor, e dërgova në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Drejtësisë. Duke e marrë parasysh se zgjedhjet e parakohshme për deputetë zbatohen në përputhje me dispozitat e këtij Kodi, a të gjitha afatet për veprimet zgjedhore shkurtohen për pesë ditë, përveç afatit të përcaktuar për realizimin e fushatës zgjedhore, mund të konfirmoj se afatet e përcaktuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mund të respektohen”, tha Xhaferi.

Xhaferi tha se liderët e kthyen mandatin te qytetarët, ndërkaq është obligim i institucioneve të sigurojnë kushte për zbatimin e zgjedhjeve fer, të lira dhe demokratike në të cilat qytetarët do e shfrytëzojnë të drejtën dhe obligimin e tyre demokratik.

“Apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor parti politike, anëtarë partiak, anëtarët ë Këshillave Zgjedhorë dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore dhe më e rëndësishmja, mediumet, të jenë në lartësi të detyrës, të kontribuojnë që dita e zgjedhjeve të jetë ditë solemne dhe edhe një shtojcë pozitive në Raportin për përparimin e vendit që duhet të publikohet në muajin mars, me çka do të japim kontribut të rëndësishëm në rezultatin pozitiv të Samitit në Zagreb dhe të marrim datë për fillimin e negociatave me BE-në. Në fakt, ashtu edhe i ngjan një vendi i cili së shpejti do të bëhet anëtar i plotfuqishëm i 30-të i NATO-s. Me fat në ditën e zgjedhjeve, le të jetë ndershëm dhe me dinjitet! Le të fitojë zëri i popullit!”, shtoi Xhaferi.

Dje, pak përpara se të shpërndahet Kuvendi, deputetët me 80 vota “për” aq sa ishin të domosdoshme, e kanë miratuar Ligjin për Prokurori Publike. Miratimi i këtij Ligji ishte një ndër kushtet joformale të komunitetit ndërkombëtar që Maqedonia e Veriut të marrë datë për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Exit mobile version