Shqiptarofobia e maqedonasve vërehet gjatë manifestimeve të 100 vjetorit

Maqedonasit duhet të lirohen nga shqiptarofobia, sepse kjo po i bën më qesharak se asnjëherë më parë.

Me mënyrën se si mediat maqedonase transmetuan manifestimet e 100 vjetorit të shtetit shqiptar në Shkup, edhe një herë dëshmuan se nuk e njohin historinë elementare të shqiptarëve, thotë mes tjerash për Portalb, profesori i komunikimit në UEJL, Sefer Tahiri.

‘Mediat maqedonase festimeve të 100 vjetorit të shtetit shqiptar i janë qasur në mënyrë negative, me diskurs politik njëetnik përkatësisht etnocentrik maqedonas, duke shfaqur ide apo qëndrime kritike dhe akuzuese ndaj manifestimeve, duke përfshirë porositë politike, ikonografinë, pra përdorimin e flamujve kombëtarë kudo, por edhe folklorin etnik shqiptar, Në mediat maqedonase është vërejtur edhe mosnjohje elementare e historisë së shqiptarëve, meqë gjithmonë është theksuar se 100 vjetori festohet si festë e shtetit shqiptar e jo si ditë e flamurit, që ka rëndësi historike dhe si asnjë popull tjetër kremtohet historikisht’, tha Tahiri.

Nga ana tjetër, analisti Xhelal Neziri, thotë se maqedonasit duhet ta kenë të qartë se shqiptarët nuk e festojnë 100-vjetorit për inat të tjerëve por për nderimin dhe kultivimin e identitetit të tyre kombëtar.

‘Pjesa më e madhe e maqedonasve vite me radhë ka parë flamurin shqiptar si kërcënim për sovranitetin e shtetit. Tash, derisa festohej 100-vjetori, mediat maqedonase vraponin të kapnin imtësia nga gama e gjerë e manifestimeve me qellim qe te forconin përshtypjen në opinion se kjo festë shqiptare është rrezik për to dhe për Maqedoninë. Valëvitja e flamujve kombëtar nuk bëhet për të provokuar tjerët, por për shkak të sentimentit të veçante që kanë shqiptarët ndaj këtij simboli, që përbën njërën nga dy shtyllat e identitetit të tyre. Respekti ndaj festive të ndërsjella, si kombëtare ashtu edhe fetare, garanton një kohezion ndëretnik dhe ndërkulturor’ tha Neziri./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button