Zaev: Nuk posedoj as kam parë dëshmi për përfshirjen e Veljanoskit në rastin “Monstra”

Nuk posedoj as nuk kam parë çfarëdo lloj dëshmish për involvimin e Trajko Veljanoskit në rastin e Liqenit të Smillkovës, deklaroi ish-kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev duke u përgjigjur në pyetjen e parashtruar nga prindi i njërit prej viktimave, në seancën e sotme për rastin “Monstra”.

Zaev, dëshmoi në seancën e sotme për rastin “Monstra” në Gjykatën penale, me kërkesë të prindërve të viktimave afër Liqenit të Smillkovës në prill të vitit 2012.

“Çdoherë kur kam pasur takim me ju prindërit, çdoherë ka qenë me kërkesën tuaj si prindër të cilët gjurmojnë të vërtetën e plotë për vrasjen dhe çdoherë pa qëllime të fshehura kam dhënë përgjigje edhe para jush edhe para opinionit”, tha Zaev.

Me rëndësi është, përsëriti Zaev, të hapet sërish procesi dhe të jepen përgjigje për të gjitha dyshimet që ekzistojnë në opinion.

Në pyetjen nga një prind, nëse ka qenë i thirrur deri më tani para gjykatësit hetues apo prokurorit për “Monstrën”, Zaev tha se nuk është thirrur as nga prokurori e as nga gjykatësi hetues për të dëshmuar për këtë rast.

Zaev, paraprkaisht tha se të gjitha materiale të cilat i kanë poseduar në LSDM dhe tek të cilat ka pasur qasje si kryetar i partisë, janë dorëzuar në PSP. Tha se nga vetë kontrolli i materialeve shihet se nuk ka vazhdimësi të plotë, përkatësisht njerëzit të cilët kanë qenë të punësuar në MPB nuk kanë mundur çdoherë të marrin kopje nga ato materiale dhe t’ia parashtrojnë LSDM-së së atëhershme opozitare.

Zaev konfirmoi se disa herë është takuar me të afërm të viktimave, të cilët kanë dashur të marrin më shumë informata nga “bombat”. Një njërin prej takimeve, disa nga prindërit kishin shprehur dyshim se sistemi juridik fsheh prej tyre informata dhe dëshmi. Ai u ka prezantuar audio materiale të cilat i kanë kërkuar, pa u dhënë kopje.

Për atë që nuk i ka bërë publike materialet, Zaev tha se shkaku i vetëm ka qenë se ka konsideruar që nuk ekziston tërësia për krijimin e pamjes së plotë dhe prandaj në fund ka vendosur që gjithçka që posedon, të mos publikohet, por t’i dorëzohet PSP-së, në mënyrë që ata t’i përdorin për dëshmimin e së vërtetës për “Monstrën” para gjykatës.

Paraprakisht, në sallën e gjykatës ishte lëshuar xhirimi nga mbledhja e Kuvendit, në të cilën Zaev flet për rastin “Monstra” si përgjigje në pyetjen nga deputeti Zoran Ilioski.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button