Eco Guerilla: Politikanët t’i nxjerrin interesat qytetare para atyre të hidro-mafias (VIDEO)

Të gjitha dokumentet dhe procedurat kanë përfunduar, kurse Mali Sharr assesi të shpallet si Park Nacional. Interesat e qytetarëve, kompetentët t’i nxjerrin para atyre të hidro-mafias, kështu u shpreh sot Arianit Xhaferi në një konferencë për shtyp, ku kërkoi nga Qeveria shpalljen urgjentisht të Sharrit si Park Nacional, shkruan Portalb.mk.

Procedura për dhënien e lejeve për ndërtim të hidrocentraleve të vogla në mes tjerash edhe në Malin Sharr, filloi dhe u krye për një kohë të shkurtër, kjo praktikë e shpejtë nuk po ndodhë me kërkesën e organizatave joqeveritare si dhe Bashkimit Evropian, ku si kusht për anëtarësim është edhe mbrojtja 12% e territorit të shtetit, respektivisht shpallja e tyre si Parqe Nacionale, ku deri tani Maqedonia e Veriut ka 9 përqind të territorit të saj, të mbrojtur.

LEXO: Nëse Mali Sharr nuk shpallet për park nacional i kanoset zhdukja e shumëllojshmërisë

Sipas Xhaferit nga “Eco Guerilla”, të gjitha dokumentet bazë për futjen e këtij territori zonat e mbrojtura kanë përfunduar dhe ekipi ekspertëve ka rekomanduar që Mali Sharr duhet të shpallet Park Nacional.

“Ne vazhdimisht jemi interesuar për të kuptuar ecurinë e valorizimit të vlerave të Malit Sharr, dokument ky që përbën bazë për futjen e këtij territori në kuadër të sistemit të zonave të mbrojturave, respektivisht shpalljen e tij si Park Nacional. Valorizimi tashmë ka përfunduar dhe ekspertët kanë dhënë vlerësim. Ekipi i ekspertëve ka rekomanduar që Mali Sharr duhet të shpallet Park Nacional për të mbrojtur florën dhe faunën, pasuritë e ndryshme natyrore, përfshi mineralet e ndryshme, si dhe planet zhvillimore të çdo komune që është nën ndikim të territorit të Malit Sharr” tha Arianit Xhaferi nga organizata joqeveritare, “Eco Guerilla”.

Si pengesë kryesore për mos shpalljen e të njëjtit si Park Nacional, sipas Xhaferit është interesi i personave që planifikojnë ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, të cilat subvencionohen nga paratë e taksapaguesve.

“Jemi të informuar se ekziston një formë presioni nga ana e grupeve të interesit që janë përfshirë në ndërtimin e të hidro-centraleve të vogla të subvencionuara nga paratë e taksapaguesve të cilët kërkojnë të pengojnë shpalljen e Malit Sharr Park Nacional deri sa ata të realizojnë projektet e tyre dhe të shkatërrojnë mjedisin dhe lumenjtë e Sharrit. Ky lloj presioni nga ana e hidromafias nuk duhet të merret parasysh nga të zgjedhurit e qytetarëve dhe nga qeveria” theksoi Arianit Xhaferi.

Në shtator të vitit të kaluar ish zëvendës kryeministri Bujar Osmani së bashku me Kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe ambasadorin francez Christian Thimonier marshuan rrugëve të Malit Sharr nga ku edhe theksuan nevojën e shpalljes së Sharrit si Park Nacional. Megjithatë, nga atëherë deri sot nuk është ndërmarrë  asnjë masë konkrete për këtë.

Ndryshe, Mali Sharr është një nga pasuritë e rralla natyrore të cilat i posedon Maqedonia e Veriut, në të cilën ka gjithsej 37 liqene akullnajore, ku 25 janë nga ana e Maqedonisë kurse pjesa tjetër në anën e Kosovës. Rëndësi të madhe ka edhe biodiversiteti mbresëlënës ku ka rreth 200 lloje bimësh endemike, 167 lloje fluturash, 12 nga gjithsej 15 specie amfibe, 18 lloje zvarranikësh si dhe 130 lloje zogjsh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button