RMV, Antikorrupsioni e pret listën me të dhëna nga Këshilli Gjyqësor për t’i kontrolluar gjykatësit

Gjykatësit e Maqedonisë veriut të cilët janë të dyshuar për shkelje ligjore, do të jenë në shënjestër të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KShPK), njofton Portalb.mk.

Kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska tha se presin përgjigje nga Këshilli Gjyqësor të cilëve u kanë dërguar kërkesë për t’u dorëzuar të dhëna për gjykatësit të cilëve do t’u kontrollohet gjendja pronësore.

“Tanimë i kemi ndarë disa kritere se si do të kryhet kontrollimi i pronës së gjykatësve. Lëndë e kontrollit do të jenë gjykatësit që përmenden në lëndët që kanë ardhur deri te ne, gjykatësit kundër të cilëve ka më shumë ankesa, ata që i ruajnë më së shumti lëndët, që i vjetërsojnë, apo rishpërndajnë, por edhe kundër atyre që ka procedurave disiplinore e kështu me radhë”, tha për Portalb.mk Ivanovska.

Nga ana tjetër, anëtari i Antikorrupsionit, Nuri Bajrami njoftoi gjithashtu se rastet kundër gjykatësve që u përmendën në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), janë nga fundi.

Ndikimi politik ndaj gjyqësorit është theksuar në Raportin e Stejt Departamentit të SHBA-së për të drejtat e njeriut për vitin 2018-të, i cili duke u thirrur në raportin special të PSP-së, kanë theksuar se katër gjykatës kanë lejuar që politika drejtpërdrejtë të përzihet në gjyqësor: kryetari i atëhershëm i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, i cili ka ndarë informata kyçe për rastet me politikanët dhe funksionarët për gjykim, ish kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Aleksandra Zafirovska, e cila është konsultuar me ish përfaqësues të lartë qeveritar për zgjedhjen e gjykatësve lojal për politikën, ish gjykatësja Sofija Laliq, e cila i ka ndjekur udhëzimet e DSK-së dhe seriozisht e ka shkelur Kodin Etik të Gjykatësve dhe gjykatësja, Svetllana Kostova, e cila njëkohësisht ka punuar edhe si gjykatëse dhe ka qenë e punësuar në DSK.

Portalb.mk, ka disa muaj që shkruan për nevojë ne verifikimit të punës së gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët janë në shënjestër të kritikave për shkak të punës së tyre të anshme, joprofeisonale, për të cilat është shkruar dhe thënë si nga faktori i brendshëm edhe nga ai ndërkombëtar.

Megjithatë, Këshilli Gjyqësor u “zgjua nga gjumi”, pasi kryeministrit Zoran Zaev, kërkoi që të vlerësojë përgjegjësinë e gjykatësve. Paralelisht me Këshillin Gjyqësor, gjykatësit do t’i kontrollojë dhe Antikorrupsioni.

Dhe ky është një lloj “vetingu”, pasi që atë sipas modelit të Shqipërisë nuk e lejoi Bashkimi Evropian.

Kritika të ashpra për gjendjen e gjyqësorit ka dhënë edhe presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e fundvitit në Kuvend, i cili porositi pushtetin e ri që do të zgjidhet nga zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit të vitit 2020 që të fillojë me pastrimin e gjyqësorit, por fillimisht me pastrimin e politikanëve.

VETINGU është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i vetingut mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e vetingut.

Lexo gjithçka për reformat në gjyqësor, përfshirë edhe “vetingun”: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button