Site icon PORTALB

Osmani-Trajçevski: me rëndësi është që mediat të kontribuojnë në zgjedhje të lira dhe demokratike

Takim mes ASHMAA dhe SÇE

Takim mes ASHMAA dhe SÇE

Sot në Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele () në Shkup, u takuan zv/kryeministri për Çështje Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe drejtori i  të Agjencisë ASHMAA, Zoran Trajçevski. Në takim u shqyrtua rëndësia dhe ndikimi i mediave në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit  duke theksuar rolin e tyre në garantimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, njoftojnë Portalb.mk.   

“Ia përcollëm mesazhin edhe zv/kryeministrit se ASHMAA posedon kapacitetin e duhur për t’i zbatuar aktivitetet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.Ne garantojmë se zbatimi i Kodit Zgjedhor nga agjencia do të jetë në nivelin më të lartë. Do të theksohet edhe në raportet e OSBE-së dhe të gjithë vëzhguesve se agjencia do të jetë një nga aktorët pozitiv në shoqëri” tha drejtori i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuele, Zoran Trajçevski.

Nga ana tjetër, Osmani u shpreh se qëllimi primar i tyre është të krijojnë të gjitha parakushtet për zgjedhjet.

“Këto vizita i bëj me qëllim që t’i aktivizojmë dhe inkurajojmë institucionet kompetente për t’i kapur të gjitha aspektet e mbulimit të zgjedhjeve që asgjë të mos na gjejë të papërgatitur. Procesi zgjedhor do të jetë çelës për të hapur derën e fillimit të bisedimeve dhe ne nuk guxojmë të rrezikojmë këtë çelës i cili varet nga sjellja e partive politike në raport me zgjedhjet parlamentare, nga sjellja e institucioneve kompetente për monitorimin e procesit zgjedhor” tha zv/kryeministri Bujar Osmani.

Ai tha se rëndësia e ASHMAA është e veçantë sepse ka nën kontroll fushën mediatike.

“Andaj është me rëndësi që të gjithë të kryejnë në nivel detyrat e reja dhe ne si qeveri të sigurojmë parakushte dhe kapacitet që të mos ketë parregullsi në sektorin mediatik” u shpreh Osmani.

Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në të cilët do të ketë mënyrë të re të financimit të fushatave politike.
LEXO: Disa gjëra të rëndësishme që duhet t’i dini për financimin e fushatave zgjedhore mediatike të partive politike

Përndryshe, takimi i krerëve të Bashkimit Evropian për çështjen e RMV rreth datës për në Bashkim Evropian është caktuar për me 26 mars, gjegjësisht ditën e katër të fushatës zgjedhore.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.
Exit mobile version