RMV, në vend se të miratohet Ligj i ri që do të kufizojë kumarin, blihen aparate të reja!

Ligji i ri për lojërat e fatit në Maqedoninë e Veriut, assesi të dërgohet në seancë plenare për votim, në kushte kur kemi dhe dy javë para shpërbërjes së Parlamentit. Një ndër çështjet që nuk mund të merren vesh partitë është dislokimi i objekteve ku luhen lojërat. Nga ana tjetër, përderisa Video-Lotaria shtetërore ka ndarë 6,5 milion euro për aparate të reja për kumar, nga Lëvizja “Anti Bixhoz” paralajmërojnë protesta masive, shkruan Portalb.mk.

Ligji i ri –  metra apo kilometra larg vendbanimeve?

Për Portalb.mk, deputetët e të gjitha partive politike shqiptare u shprehën se janë të gatshëm të votojnë për ligj të ri i cili përmban dispozita për largimin e bastoreve jashtë “pikave të interesit” siç janë objektet edukative. Por, opozita ka kushte.

Propozim të tillë në Kuvend, thonë se kanë dorëzuar Rexhail Ismaili dhe Ejup Alimi nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, para një viti.

Propozim ligji nuk është i kapshëm për publikun për ta parë se çfarë përmban.

Sipas dy deputetëve, ata kanë kërkuar që kazinot, bastoret dhe lojërat e tjera të fatit të dislokohen 500 metra larg në vijë ajrore nga objektet ku kryhen proceset arsimore, si çerdhet, shkollat fillore të mesme, gjithashtu edhe nga universitetet, bibliotekat dhe institucione tjera, ku kujdesen për fëmijë sidomos kopshtet e fëmijëve dhe shtëpi të pleqve.

Ejup Alimi dhe Rexhail Ismanili
Ejup Alimi dhe Rexhail Ismanili

Arsyeja që ky ligj ende nuk është dërguar për votim, sipas tyre është frika që i njëjti të mos bjere në ujë, në mungesë të numrave të nevojshme për kalimin e tij.

“Ne jemi shumë të gatshëm që atë ligj ta votojmë, konsiderojmë se është i mire dhe në përputhje me kërkesat e shoqërisë civile. Megjithatë, aktualisht të njëjtin nuk e dërgojmë në votim për shkak se nuk kemi 61 vota, jemi duke bërë përpjekjet e fundit që ta bindim LSDM-në apo VMRO-në ta votojnë këtë ligj, ngaqë të gjithë partitë shqiptare jemi të gatshëm ta votojmë” tha për Portalb.mk, propozuesi i ligjit Rexhail Ismaili.

Megjithatë, ky propozim i BDI-së, u kundërshtua nga Lëvizja “Anti Bixhoz”. Ata kërkuan që dislokimi të jetë minimum 3 kilometra nga vendbanimet. Propozimet e tyre nuk janë marrë parasysh.

Nga Aleanca për Shqiptarët përkrahin këtë lëvizje. Ata paralajmëruan se në qoftë se ky ligj kalon në parlament, do të ndërhyjnë me amendamente ngaqë sipas tyre, ky ligj nuk është i sinqertë dhe shkaku i vetëm i propozimit të tij ishte shuarja e revoltës së shoqërisë civile.

Syrija Rashidi. Foto: Portalb.mk
Syrija Rashidi. Foto: Portalb.mk

“Ky ligj u propozua vetëm për të shuajt revoltën e shoqërisë civile, respektivisht Lëvizjes Anti Bixhoz. Ne do të propozojmë amendamente për ta ndryshuar të njëjtin, në këtë formë siç është tani, jam skeptik se a do ta votojmë apo jo. Në kërkojmë që këto objekte të jenë minimum 3 kilometra larg vendbanimeve” tha Syrija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.

Edhe për partinë Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), propozimi si i tillë, nuk është i pranueshëm dhe paralajmërojnë amendamente, por as që dihet se kur. Sipas tyre, në qoftë se i njëjti kalon siç është, do të ngelin pa punë më shumë se 7 mijë njerëz dhe se në fund nuk do të fitoje askush.

“Me këtë propozim ligj rrezikojmë që mbi 7 mijë njerëz të i lëmë pa punë, kërkojmë vazhdimisht mënyra që kjo të mos ndodhë. Shpresojmë shumë që të gjejmë zgjidhje për këtë para shkarkimit të parlamentit, mirëpo dyshoj” tha koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së, Nikola Mitrevski.

Në pyetjen e Portalb.mk për atë se si do të ngelin pa punë, të punësuarit në kazino kur nuk kërkohet mbyllja e tyre por vetëm dislokimi, Mitrevski tha se “shumicës së pronarëve kur ua kemi përmendur dislokimin, janë shprehur se në qoftë se kjo ndodhë, do ta mbyllin biznesin krejtësisht”.

Nga Lëvizja BESA dhe Alternativa u shprehën se janë të gatshëm ta votojnë propozim ligjin, kështu siç është, në momentin kur të dërgohet në parlament për votim. Nga VMRO-DPMNE nuk janë të përcaktuar ende.

SËRISH PROTESTA!

Lëvizja Anti-Bixhoz
Lëvizja Anti-Bixhoz

Nga Lëvizja Anti Bixhoz potencuan se janë në bisedime me disa parti politike dhe organizata joqeveritare për përkrahjen e protestave që do t’i organizojnë kurse mos-votimin e këtij ligji, e quajnë si thikë pas shpinë nga të gjithë liderët e partive politike.

“Kur i pyesim pse nuk del në votim ligji për dislokimin e kazinove, na thonë se nuk ka disponim nga partitë maqedonase për votimin e të njëjtit. Nuk e kuptojmë, ku e gjejnë disponimin kur është puna të votojnë ligje që financojnë mbi 6.5 milion euro të popullit këto kazino. Ne jemi pesimist se ky ligj do të votohet para 12 shkurtit. Nga Zoran Zaev e deri te Ali Ahmeti na kanë dhënë thikë pas shpine, ngaqë deklarativisht të gjithë liderët na premtuan zgjidhjen e këtij problem, kurse në teren punët qëndrojnë ndryshe” deklaruan nga Lëvizja Anti Bixhoz.

Ndryshe, vetëm dy javë më herët Video-Lotaria e Maqedonisë së Veriut nënshkroi marrëveshja me një kompani bullgare për furnizim me 1,500 aparate për kumar, vlera e të cilave arrin deri në 6.5 milion euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button