Site icon PORTALB

Para shpërbërjes, Kuvendi pritet të miratojë Strategjinë anti-korrupsion

Komisioni i Antikorrupsionit, foto: Borçe Popovski

Komisioni i Antikorrupsionit, foto: Borçe Popovski

Që të kthehet besimi i qytetarëve në sistemin shtetëror, Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK) ka miratuar Strategjinë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konflikteve të interesit, Strategji që Kuvendi i RMV-së pritet ta voton në muajin shkurt, transmeton Portalb.mk.

“Kryeparlamentari na njoftoi se Kuvendi do ta sjellë Strategjinë kombëtare dhe me siguri do të jetë në fillim të muajit të ardhshëm. E rëndësishme është që do të sillet me këtë përbërje”, deklaroi drejtoresha e KSHPK-së, Biljana Ivanovska.

Ivanovska theksoi se raste më të mëdha të korrupsionit vërehen gjatë punësimeve.

“Qëllimet kryesore të strategjisë janë te rritja e nivelit të përgjegjësisë politike dhe menaxhimi i vetëdijshëm me ndikimet politike në sektorin publik dhe parandalimi i ndikimeve polarizuese në punën e organeve të pavarura. Përforcimi i integritetit dhe llogaridhënies në sektorin publik. Zbatimi i përgjegjësive të sektorit publik në mënyrë të ligjshme, transparente, etike, ekonomike, përgjegjëse dhe në mënyrë efektive. Sigurimi i integritetit dhe transparencës në sektorin publik dhe politikat e burimeve njerëzore bazuar në sistem vlerash dhe kritere cilësore. Përforcimi i sistemeve të kontrollit dhe mbikëqyrjes si dhe digjitalizimi i të gjithë sektorëve të shërbimit publik dhe zvogëlimi i korrupsionit në procesin e ndarjes së granteve, subvencioneve dhe ndihmave të tjera shtetërore. Përforcimi i kapaciteteve dhe përkushtimi i organeve për zbatimin e ligjit, në prokurori dhe në gjyqësor në zbulimin dhe sanksionimin e korrupsionit dhe përforcimin e rezistencës së korrupsionit në radhët e tyre”, deklaroi Ivanovska.

Strategjia, theksoi ajo, parashikon gjithashtu përfshirjen e shoqërisë civile dhe mediave në luftën kundër korrupsionit në shoqëri, si dhe ngritjen e ndërgjegjësimit të vetëdijes publike dhe zbatimin e edukimit për antikorrupsion.

“Për të zbatuar me sukses strategjinë është e nevojshme të sigurohen burimet e nevojshme si parakusht për arritjen e qëllimeve strategjike. Komisioni ynë është përgjegjës për monitorimin e zbatimit të masave dhe aktiviteteve të strategjisë si dhe përgatitjen e raporteve vjetore deri tek Kuvendi”, deklaroi Ivanovska.

Ajo  beson se të gjitha partitë parlamentare do ta mbështesin këtë Strategji kombëtare dhe se do të miratohet me konsensus.

Exit mobile version