Konjufca: Walker ishte zëri kumbues i të vërtetës për Kosovën
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ish-shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin amerikan William Walker, i cili po qëndron në vendin tonë, në vizitën e tij të përvitshme në kujtim të masakrës së Reçakut.
Walker e uroi kryetarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke i dëshiruar suksese në këtë detyrë të rëndësishme.
Ndërkaq Konjufca falënderoi ish-shefin e OSBE-së në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës edhe ecjes së saj në rrugën e zhvillimit të përgjithshëm.
Ai vlerësoi se ambasadori Walker, ashtu siç ishte dikur zëri kumbues i të vërtetës për Kosovën, sot vazhdon të jetë përfaqësuesi kryesor i zërave për vënien në vend të drejtësisë për masakrën e Reçakut dhe masakrat e shumta të kryera nga shteti serb.
Kryeparlamentari Konjufca dhe ish-ambasadori Walker diskutuan edhe për zhvillimet politike në Kosovë, proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë dhe sfidat që atë e presin në të ardhmen.