Site icon PORTALB

LDK dhe VV thonë se pati “përafrim” në negociatat për koalicion qeverisës

Mustafa - Kurti

Mustafa - Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se ka pasur përafrim të qëndrimeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për formim të koalicionit qeverisës, pas takimit që është zhvilluar pasditën e së mërkurës.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, kjo parti ka thënë se negociatat drejt arritjes së një marrëveshjeje për koalicon do të vazhdojnë të enjten.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa po ashtu ka thënë se ka pasur “lëvizje” për të arritur pajtueshmëri, transmeton REL.

Takimi i sotëm i liderëve të të dyja partive që synojnë koalicionin qeverisës, ka qenë i dyti, pas takimit të ditës së martë, i cili ndodhi pas një ndërprerjeje të takimeve që nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Në këtë seancë, kryetar i Kuvendit është emëruar Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të hënën me liderin e LVV-së, Albin Kurti për të diskutuar rreth mandatarit për kryeministër, dhe më pas është bërë e ditur që Thaçi t’i ketë dhënë afat prej 48 orëve Kurtit për të propozuar një emër.

Ky afat ka skaduar të mërkurën në orën 15:00.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 6 tetor në Kosovë.

Ky proces zgjedhor është zhvilluar pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, meqë kishte marrë ftesë për dëshmi nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Exit mobile version