Pa përkrahje të opozitës, Këshilli Komunal në Tetovë e votoi buxhetin për vitin 2020

27 milion e 914 mijë euro është shuma e buxhetit të Komunës së Tetovës për vitin 2020, e cila u votua sot vetëm nga këshilltarët e pozitës në seancën e 27-të të këshillit të kësaj komune. Për këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA ky buxhet është i papranueshëm ndërsa për kryetaren Arifi, viti i ardhshëm do të jetë viti më i mirë për punë dhe se buxheti është realizuar në bazë të të gjitha standardeve, shkruan Portalb.mk.

Kryetarja e Komunës së Tetovës vitin 2020 e sheh si vit në të cilin “do të ketë shumë punë”. Ajo shtoi se ka rritje të buxhetit në krahasim me vitin e kaluar.

“Do të kemi një vit të mirë për punë, planifikimi i buxhetit është bërë në bazë të të gjitha standardeve si dhe atyre të dhëna nga Ministria e Financave për mundësinë e rritjes së buxhetit për 30%, gjë që nuk e kemi pasur vitin e kaluar” theksoi Arifi.

Për këshilltaret nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizjes BESA (LB) ky buxhet nuk është i pranueshëm, për shkak se sipas tyre në të nuk janë paraparë çështje shumë të rëndësishme që ju tanojnë qytetarëve.

“Nuk e përkrahëm këtë buxhet për shkak se kërkesat e këshilltarëve të Lëvizjes BESA nuk ishin të parapara në këtë buxhet, arsyeja tjetër se pse nuk e përkrahëm këtë buxhet ishte fakti se nuk ishin ndarë mjete në investime në gjelbërim, turizëm, higjienë e shumë tjera” tha Besar Durmishi nga Lëvizja BESA.

“Është i dhimbshëm fakti që brenda këshillit të Komunës së Tetovës nuk hapet debat nga ana e këshilltarëve për gjetjen e zgjidhjeve në lidhje me problemet reale të cilat i tanojnë qytetarët”. tha Arif Selamin nga Aleanca për Shqiptarët.

Për vitin 2016, buxheti i Komunës së Tetovës ka qenë 31 milion euro ndërsa në vitin 2017 dhe 2018, buxheti i paraparë ka qenë 30 milion euro kurse më i larti ka qenë ai i vitit 2019, 36 milion euro.  

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button