Shtetet e Bashkuara inaugurojnë Forcat e Hapësirës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zyrtarisht e ka miratuar financimin e një force të re ushtarake, e cila do të përqendrohet në hapësirë. Ky njësitë do të quhet Forcat Amerikane të Hapësirës.
Shërbimi i ri ushtarak, i pari i këtij lloji në më shumë se 70 vjet, është nën komandën e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara.
Në një bazë ushtarake afër Uashingtonit, presidenti Trump tha se hapësira është fushëbeteja më e re botërore e luftës.
“Në kohën e kërcënimeve të mëdha ndaj sigurisë tonë kombëtare, mbizotërimi amerikan në hapësirë është absolutisht jetik”, tha ai.
“Ne jemi duke udhëhequr, por nuk jemi duke udhëhequr mjaftueshëm. Megjithatë, ne së shpejti do të udhëheqim bindshëm”, shtoi presidenti amerikan.
Ndarja e mjeteve financiare për këtë forcë u konfirmua të premten, kur kreu i Shtëpisë së Bardhë e nënshkroi buxhetin vjetor të ushtrisë amerikane, i cili për vitin e ardhshëm do të jetë 738 miliardë dollarë.
Për vitin e parë, për Forcat e Hapësirës do të ndahen vetëm 40 milionë dollarë. Detyrë e kësaj force do të jetë mbrojtja e qindra satelitëve amerikanë, të cilët shërbejnë për komunikim dhe mbikëqyrje, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.