Gjashtë njerëz janë vrarë nga të shtënat në një spital universitar në Ostravë të Republikës së Çekisë, kanë njoftuar autoritetet lokale.
Sulmuesi i dyshuar është ende në arrati, tha policia, transmeton REL.
Zyrtarët policorë u thirrën në spitalin e qytetit veri-lindor të Ostravës rreth orës 07:00, njoftoi ministri i Brendshëm.
Sipas raportimeve, të shtënat kanë ndodhur në një klinikë traumatologjike.
I gjithë spitali është evakuuar.
“Policia po kërkon intensivisht autorin e krimit”, u tha në njoftimin e policisë.
Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis e quajti incidentin si tragjik.
“Unë e di se katër persona u qëlluan për vdekje në vend, dhe dy u plagosën rëndë, të cilët për fat të keq, më pas vdiqën”, shtoi ai.
Raportet e pakonfirmuara në mediat çeke thonë se sulmuesi ishte një burrë me një xhaketë të kuqe dhe ai hapi zjarr në një nga departamentet e spitalit.
Ostrava është një qytet industrial në lindje të Çekisë, afër kufirit me Poloninë.