Tabela me mbishkrime dhe fotografi me iriq, peshk, trident, mollë, pemë dhe Toka janë shpërndarë në të gjithë Shkupin me rastin e 9 dhjetorit, Dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit, njofton Portalb.mk.
Aktivistët thonë se ky aksion është një përpjekje figurative për t’iu shpjeguar qytetarëve se sa shumë mjete, para të qytetarëve i menaxhon qeveria, para që nuk janë të qeveritarëve, e që shpenzohen për marrëveshje korruptive dhe derdhen në xhepa privatë ndërsa arsimi, shkenca, kultura , mbrojtja sociale, shëndetësia, ekologjia vuajnë.
“Korrupsioni në Maqedoni me vite ka qenë në rang të njëjtë me atë Gambi, Guajanë, Kosovë, Mongoli dhe Panama”, njoftojnë aktivistët.
Nga 44 vendet e Evropës, thonë ata, vetëm dy këtë vit janë renditur si më të korruptuara se Maqedonia, e cila ka ruajtur reputacionin e vendit thellësisht të korruptuar për vite me radhë.
“Një nga atributet kryesore të këtij reputacioni është korrupsioni në prokurimin publik. Vlerësohet se të paktën një e katërta e parave që shpenzohen për prokurime publike përfundojnë në xhepa private”, reagojnë aktivistët.
Njëkohësisht, shtojnë ata, një nga kritikat më të zëshme që Maqedonia i merr nga Bashkimi Evropian është pikërisht kritika për korrupsionin.