Raportimi nga tërmetet duhet të bëhet pa senzacionalizëm dhe publikime shqetësuese

Burimi: KriThink

Tërmeti shkatërrues, i cili e goditi Shqipërinë fqinje herët në mëngjes, dhe i cili mori më shumë se dhjetë jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, ishte një tokë pjellore që në rrjetet sociale dhe në media të mbijnë lajme shqetësuese, senzacionaliste dhe të pakonfirmuara.

Shkruan: Simona Atanasova

Në rast të një tërmeti të fuqishëm që ka shkaktuar viktima njerëzore, të gjithë duan të lexojnë dhe të zbulojnë sa më shumë informata, dhe në ato raste publiku ndjek më shumë lajme dhe përmbajtje mediatike. Dhe në garën për shikueshmëri më të madhe dhe sa më shumë klikime në postime, mediat publikon përmbajtje të papërshtatshme, që nuk kanë për qëllim ta informojnë publikun, por shkaktojnë emocione negative, panik dhe frikë.

Në nxitimin për të publikuar informacione sa më ekskluzive, gazetarët shpesh nuk bëjnë përzgjedhje të asaj që e publikojnë, prandaj në eter dalin tekste shqetësuese të shoqërua me fotografi dhe video që e shqetësojnë thellësisht publikun.

Këto janë disa nga titujt senzacionalistë të teksteve që u paraqitën sot, disa orë pas tërmetit. Qëllimi i vetëm i këtyre artikujve është ta tërheqin vëmendjen dhe sa më shumë klikime të jetë e mundur, e jo ta informojnë publikun. Kur do ta klikoni pjesën më të madhe të këtyre lajmeve, do të zbuloni se ato nuk janë të mbështetura me informacione të verifikuara nga burime relevante, por janë spekulime të pastra.

Videoja më tronditëse e publikuar pas tërmetit, e cila po përhapet gjerësisht në rrjetet sociale, e të cilën e transmetuan një numër i madh i mediave si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoni, është videoja e një fëmije të vogël që qan pa kontroll nën rrënoja.

“Fotografia që tronditi botën: Fëmija që u nxor nga rrënojat, ka qenë i shtrirë mbi babanë e vdekur dhe ka kërkuar ta shpëtojnë”.

Video aq tronditëse për ta parë sa nuk do t’i linte indiferentë edhe ata me stomakun më të fortë. Ndërsa vetë videoja, përveç që është shokuese dhe tronditëse, në asnjë mënyrë nuk e informon publikun më tej, për t’u publikuar dhe shpërndarë masovikisht.

Në rrjetet sociale dhe në media, gjithashtu, paraqiten fotografi shqetësuese të panevojshme nga nxjerrja e trupave të të vdekurve dhe të lënduarve, ku shihen lëndime dhe gjak.

Mediat kanë përgjegjësi dhe detyrim të mos hedhin vaj në zjarr, gjegjësisht të mos përhapin dhe të mos e shtojnë panikun që ekziston në popullatë kur do të ndodhë ndonjë fatkeqësi, veçanërisht gjatë tërmeteve kur toka ende dridhet, ndodhin tronditje shtesë dhe ka frikë te popullata.

Gazetarët duhet ta mbajnë në mend se kur ndodh një tragjedi e tillë, nuk duhet të publikohet dhe të shpërndahet diçka që është jozyrtare dhe e pakonfirmuar, pasi kjo mund të bëjë më shumë dëm sesa dobi. Informatat e tilla duhet të presin për t’u publikuar derisa të konfirmohen nga një burim relevant.

Raportimet nga cilat do qoftë fatkeqësi, e veçanërisht ato në të cilat ka viktima njerëzore, nuk duhet të kenë senzacionalizëm. Lajmet që publikohen pas aksidenteve të tilla duhet të jenë të shkurtra, të qarta dhe informuese, veçanërisht menjëherë pas fatkeqësisë, kur situata është akoma konfuze dhe nuk ka të dhëna zyrtare nga autoritetet kompetente. Por, kjo nuk ndodhi me raportimet për tërmetin në disa media, si në Shqipëri ashtu edhe Maqedoni, të cilat fatkeqësisht dështuan në raportimet e tyre.

Profesionalizmi dhe etika e gazetarëve në situata të tilla të ndjeshme, kur kemi të bëjmë me njerëz të vdekur ose të lënduar, duhet të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm, për të cilën gjë apelon edhe Kodi i Gazetarëve.

Gazetari do ta respektojë privatësinë e personit, përveç nëse kjo është në kundërshtim me interesin publik. Gazetari është i detyruar ta respektojë dhimbjen dhe pikëllimin personal.

Mënyra e informimit në rastet e fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jetë e çliruar nga sensacionalizmi.

Gazetari nuk duhet intervistojë e as të fotografojë fëmijë të moshës nën 16 vjeçare pa pëlqimin e prindërve ose tutorëve, përveç nëse kjo nuk është në përputhje me të drejtat e fëmijës.

Raportimet nga fatkeqësitë e mëdha janë një test serioz për gazetarët dhe redaksitë, sa i përket asaj se janë të gatshëm që në situata të tilla të raportojnë saktë, qartë, pa senzacionalizëm, duke i respektuar rregullat etike, dhimbjen personale dhe tragjedinë, dhe pa shqetësime të mëtejshme të publikut tashmë të shqetësuar. Por, gjithmonë ka media që nuk i respektojnë këto standarde dhe shkaktojnë kaos në hapësirën mediatike.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button