KULMI VIGAN I KRITIKËS LETRARE

Pogradeci i dha letërsisë shqipe dy emra të shquar: poetin Lasgush Poradeci dhe prozatorin Mitrush Kuteli. Janë dy personalitete me talent krijues dhe me formim të gjerë kulturor dhe estetik. Dy personalitete që krijuan në dy sisteme shoqërore dhe politike. Dy personalitete që u anashkaluan nga sistemi, për shkak të formimit kulturor dhe pikëpamjeve estetike.

Lasgush Poradeci u fokusua te poezia dhe përkthimi, ndërkaq Mitrush Kuteli, krahas si poet, përkthyes e prozator, u dallua gjatë viteve 30-të të shekullit të kaluar edhe si kritik letrar.

Bardhyl Zaimi, në studimin “Paradigma e kritikës së Kutelit”, merret me metagjuhën e Kutelit; me gjuhën që flet për një gjuhë tjetër; me gjuhën e kritikës, e cila flet për gjuhën e letërsisë, për gjuhën e ëndrrës, gjuhën e harruar.

Studiuesit e letërsisë dhe kritikët letrarë shpesh e kanë tepruar. Kemi shumë shembuj se si ata e kanë rrezikuar letërsinë, siç thotë Cvetan Todorovi. Studiuesit kanë krijuar skema e dogma, duke e vënë letërsinë në shtrat Prokrusti. Kështu ndodhi edhe gjatë sistemit monist, kur letërsia duhej t’i nënshtrohej skemës frymëzënëse socrealiste.

Danilo Kishi në sprovën “Për pluralitetin”, ku i kundërvihej kritikës tradicionale, pozitiviste, sociologjike dhe dogmatike, thotë se detyra e kritikut letrar nuk është që të dominojë me idetë dhe me shijen e tij në mënyrë tiranike, totalitare. Qasja dogmatike, thotë ai, e konsideron letërsinë si “imazh të jetës popullore, literaturë e kritikës shoqërore, e angazhuar në kuptimin më të gjerë ‘në dobi të popullit’”.

Mitrush Kuteli, si kritik letrar, nuk bën pjesë në këtë grupim. Ai nuk bën pjesë në asnjë grupim. Kuteli krijoi një model specifik të kritikës letrare, të ndryshëm nga modeli socrealist.

Bardhyl Zaimi shkruan për kontekstin social dhe kulturor kur veproi Kuteli; për evolutën e kritikës letrare shqiptare; merret me përkufizimet e shumta teorike mbi kritikën; shkruan për fenomenin e shkrimtarit kritik dhe fokusohet te profili kritik i Kutelit. Pas një studimi të thelluar, ai e mbështet mendimin se Kuteli është “kulm vigan i kritikës letrare shqiptare”. Vështrimet kritike të Kutelit, që shqyrtohen nga Bardhyl Zaimi, janë përfshirë në librin “Shënime letrare” (1944).

Bardhyl Zaimi shtron pyetjet: Çfarë e bën të përveçme kritikën e Kutelit; cili është raporti i tij me kritikën e traditës; cili është konteksti i shfaqjes së tij si kritik; cilat janë zhanret e kritikës që kultivon; cila është qasja kritike që përdor; cili është koncepti i tij estetik; cilat janë elementet konstituese të shkrimtarisë së tij kritike; si gërshetohet sensi prej shkrimtari me profilin e tij kritik?

Dhe jep konstatimet e mëposhtme: se botëformimi i Kutelit ishte mbrujtur jashtë Shqipërisë, në Rumani, në këtë ambient kulturor dhe vlerësues, ku “informacioni letrar dhe jeta kulturore përgjithësisht kishte pikëtakime të ngjeshura me gjithë lëvizjet teorike, letrare dhe kulturore që ndodhnin në Europë”; se Kuteli u shfaq si kritik letrar në ambient debatesh mbi prodhimin letrar të kohës dhe përpjekjesh “për të krijuar matricën e domosdoshme të receptimit ndryshe të letërsisë, të aktit krijues, të raportit me gjuhën, me tekstin letrar dhe lexuesin si entitet i pashmangshëm në gjithë procesin letrar”; se Kuteli e ridimensionon hierarkinë e vlerave historiko – letrare të letërsisë shqipe, veçanërisht të shkrimtarisë kritike shqipe; se shkrimtaria kritike e tij “sjell prurje të thella dhe të qëndrueshme horizontesh intelektuale dhe kritike, jo vetëm në rrafsh të kontekstit letrar kombëtar, por edhe në atë interkultural, ballkanik dhe europian”; se kritika e Kutelit është imanente; se Kuteli e krijoi një paradigmë tjetër në kundrimin e poezisë, që e hasim në studimin e tij mbi poezinë e Poradecit; se kritika letrare e Kutelit fokusohet tek interpretimi i brendshëm i poezisë; se Kuteli “po vendoste tashmë një diskurs tjetër kritik, që konsolidohej nga një poetikë e brendshme e veprës, nga ajo që e bën një vepër të përveçme dhe universale në të njëjtën kohë”; se kritika e tij ishte në kahe të kundërt me ata që kërkonin realitet, utilitarizëm dhe histori në poezi; se ai nuk i takonte ndonjë shkolle të caktuar teorike; se Kuteli, siç e thonë studiuesit Plasari edhe Llanaj, mbetet origjinal dhe “zbatues i një shumësie metodash studimore”; se inkuadronte në diskursin kritik një terminologji origjinale, të gërshetuar me qasje të caktuara teorike, që viheshin në funksion të objektit të trajtuar; se ai shquhet për maturi në shkrim, për energji pozitive, që e rrezaton në të gjitha shkrimet e tij kritike; se Kuteli, në shkrimet e tij, nuk është denigrues, mohues apo mbivlerësues; se ai është prijatar i një kritike objektive e konstruktive, jo i një kritike për kritikë dhe as i një kritike armiqësore; se kritika e Kutelit nuk është akademike, por jo edhe sipërfaqësore në trajtimet që bënte; se ai kërkonte model të ri, diskurs të ri dhe hapje kulturore dhe letrare, që do t’i mundësonte hapësirës shqiptare zhvillim kulturor dhe letrar; se Kuteli ka qenë dhe mbetet vigan i shkrimtarisë kritike në historinë e letërsisë shqipe.

Libri “Paradigma e kritikës së Kutelit” është shkruar me kompetencë shkencore. Për ta shkruar një libër si ky duhet formim estetik dhe kulturë e gjerë. Ky libër është shkruar me gjuhë që nuk të krijon gërvishtje në vesh e në mendje.

Bardhyl Zaimi është lexues sojli, një njeri me virtyt dhurimi, që është rritur dhe është formuar me artin e maestrove të letërsisë kombëtare dhe botërore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button