Site icon PORTALB

Stuhi reshjesh në Shqipëri, përmbytje në Gjirokastër e Sarandë

Reshje në Shqipëri, arkiv

Java ka nisur me stuhi reshjesh në të gjithë Shqipërinë. Raportohen përmbytje në qytetin e Gjirokastrës. Përroi i Ficos, i cili përshkon lagjet e sipërme të qytetit, ka dalë nga shtrati duke bërë që rrugët të pushtohen nga balta por nuk ka vënë në rrezik ndërtesat, njofton Ora News.

Ndërsa po mbahet në monitorim përroi i Cullos pasi gjatë natës është përmbytur një banesë. Edhe përroi në Lazarat ka vërshuar në rrugë.

Në Vlorë është pezulluar sërish udhëtimi i tragetit St Damian i linjës Vlorë-Brindisi. Si rrjedhoj e reshjeve të shiut, erës së fortë dhe fuqisë së madhe të detit, e cila këtë të hënë shkon deri në 7 ballë në det të hapur trageti e ka të pamundur udhëtimin. Sipas njoftimit nga agjensia EUROFERRIES, trageti do të niset mbrëmjen e sotme dhe do të mbërrijë të martën në mëngjes për shkak të kushteve jo të mira hidrometeorologjike.Trageti i linjës qëndron momentalisht i ankoruar nq portin e Brindisit dhe pritet të mbërrijë në Vlorë të martën rreth orës 07:30 të mëngjesit.

Përmbytje edhe në Sarandë. Shirat e rrembyer gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në zonat me infratrukturë më problematike. Në fshatin Vanë në Delvinës gjatë mbrëmjes është shembur njëra këmbë e urës së fshatit. Aktualisht ura është e pakalueshme, çka izolon fshatin deri në riparimin e saj. Emergjencat ndodhet në zonë për të parë situatën dhe marrë masa.

Problematika nga moti i keq me reshje shiu edhe në Durrës, ku janë përmbytur disa zona të qytetit. Si pasojë e nivelit të lartë të ujit, disa rrugë janë të pakalueshme.

Raportohet se është bllokuar kryqëzimi tek ‘Stadiumi’, rrethrrotullimi tek ‘Stacioni trenit’ dhe rruga ‘Taulantia’.

Përmbytjet në Durrës kanë sjellë vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.

Parashikimi i motit në të gjitha qarqet

Meteoalb njofton se sot (4 nëntor) priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, reshje intensive në qarqet e Lezhës dhe Beratit, ndërsa mesatare në të gjitha qarqet e tjera.

Intensiteti i reshjeve do të vijë duke u rritur gjate pjesës së parë të ditës së nesërme dhe do zvogëlohet gradualisht gjatë pjesës së dytë të saj.

Gjithashtu reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjitha qarqet.

Ndërkohë parashikohen përmbytje për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve në gjithë territorin.

Probleme mund të paraqiten në zonat rurale. Më të rrezikuara nga vërshimet e shpejta janë qarqet e Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Vlorës dhe Gjirokastrës.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 16/20 °C

në vendet e ulëta: 16/19 °C

në vendet malore: 9/13 °C

Exit mobile version