Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, në seancën e Komisionit për çështje evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) ka kërkuar që në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, RMV-ja të ndahet nga Shqipëria, pasi siç tha ai, “gjendja në shtetet tjera nuk është në duart tona aspak”, transmeton Portalb.mk.
“Ka një jokonsistencë logjike të madhe ndërmjet asaj, të flitet për përmirësim të metodologjisë të procesit anëtarësues, dhe më pas të shkatërrohet parimi kyç, bazik i zgjerimit, i cili është ‘secili sipas meritave’. Gjendja në vendet tjera nuk është në duart tona aspak”, tha Dimitrovi.
Këto deklarata vijnë në kuadër të seancës, në të cilën kreu diplomatik i RMV-së, para deputetëve dhe korit diplomatik në RMV, raportuan për vendimin e Këshillit të BE-së.
Përndryshe, RMV-ja dhe Shqipëria dështuan të marrin datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE) në muajin tetor. Kjo është shtyrë për në maj të 2020-s. Si rezultat i kësaj, kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev thirri në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 12 prill të 2020-s.