Sot, është inauguruar salla sportive në Shkollën Fillore (ShF) “Jeronim De Rada” në Çerkez të Kumanovës, me çka nxënësit e kësaj shkolle prej sot do të mund të bëjnë sport dhe të ndjekin mësimin për arsim fizik në kushte më të mira, njofton Portalb.mk.
Në inaugurimin solemn, morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministër i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski dhe kryetari i Likovës, Erkan Arifi.
Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski i falënderoi kompetentët, tha se kjo është salla e dytë e ndërtuar shkollore në komunë dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të Qeverisë të vazhdojnë me investimet në infrastrukturën shkollore në këtë komunë.
Drejtori i Shkollës, Hakim Jahiu, falënderoi Qeverinë, MASH-in, BE-në, vetëqeverisjen lokale, duke shprehur se në periudhën e fundit janë ndërruar dritaret, rregullimi i brendshëm, janë rindërtuar muret etj.
Shkolla është ndërtuar në vitin 1971, ndërsa sendërtim të edhe një pjesë është bërë në vitin 1988.
Kjo sallë është pjesë e ndërtimit të 145 sallave sportive, ndërkaq siç njoftojnë nga MASh-i, ajo ka sipërfaqe prej 650 m2 dhe e njëjta është e pajisur me rekuizita për pothuajse të gjitha sportet dhe arrinë një kosto financiare prej 24 milionë denarëve – mjete këto të siguruara nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kredia nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës.