“Pritshmëritë tona janë se deri në fund të dhjetorit do të ratifikohet protokolli i NATO-s nga Spanja”
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Zoran Zaev, pas ceremonisë së nisjes së punimeve për ndërtimin e firmës “Geresheimer”, ka shprehur bindjen se Spanja Protokollin e anëtarësimit të RMV-së në NATO do ta ratifikojë deri në muajin dhjetor të 2019-s, me çka, anëtarësimi i plotfuqishëm do të ndodh gjatë muajve janar – shkurt të 2020-s, transmeton Portalb.mk.
“Pritshmëritë tona janë se deri në fund të dhjetorit do të ratifikohet protokolli i NATO-s nga Spanja”, tha Zaevi.
Megjithëse pritshmëritë ishin se, RMV-ja anëtare e plotfuqishme do të bëhet në Samitin e dhjetorit, kjo nuk do të ndodh, për shkak të shkuarjes së Spanjës në zgjedhje, gjë e cila pamundëson që Kuvendi i Spanjës ta ratifikojë Protokollin për anëtarësim të RMV-së në NATO. Megjithatë, Zaevi tha se anëtarësimi i plotfuqishëm do të ndodhë në muajt janar – shkurt të 2020-s.
“Pritshmëritë tona ishin se ne do të bëheshim anëtare e 30 në Samitin e dhjetorit, por për fat të keq kjo nuk do të ndodhë për shkak të Spanjës. Megjithatë, në janar – shkurt kjo do të ndodhë”, tha Zaevi.
Përndryshe, numri i shteteve që e kanë ratifikuar Protokollin ka arritur në 26. Deri te anëtarësimi i plotfuqishëm, ai duhet të miratohet edhe nga Spanja, Islanda dhe Holanda. Të fundit që e ratifikuan Protokollin, ishin ShBA-të.