Site icon PORTALB

Kurti komentoi zgjedhjet e parakohshme në RMV dhe paralajmëroi se nuk do të mbështesë asnjë parti

Albin Kurti në emisionin "200"

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, prijës në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, në emisionin “200” ka komentuar mosdhënien e datës së Bashkimit Evropian (BE) për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në RMV, vend ky në të cilin paralajmëroi edhe realizim të dy projekteve madhore infrastrukturore, transmeton Portalb.mk.

Vendimin e BE-së, Kurti e sheh si shenjë mosbesimi ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Unë e shoh një lloj trembje te Bashkimi Evropian, i cili përveç tjerash nuk beson në Ballkanin Perëndimor, sepse ka humbur ca edhe vetëbesim”, tha Kurti.

Ai vlerësoi se deri në vitin 2030, në Bashkimin Evropian duhet të anëtarësohen edhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, për siç tha ai, sepse nuk është vetëm Ballkani Perëndimor që ka nevojë për BE-në, por edhe BE-ja për Ballkanin Perëndimor.

“Unë e di se kjo nuk mund të bëhet për pak vitet e ardhshme, por duhet një vizion. Të themi, në vitin 2030 ku i gjithë Ballkani i cili ka mbetur i pa-anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ndihmon Evropa ta kompletojë vetveten. Nuk është i rëndësishëm vetëm Bashkimi Evropian për Ballkanin, por edhe Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për BE-në”, tha Kurti. 

Thirrjen për zgjedhje të parakohshme parlamentare në RMV, nga kryeministri Zoran Zaev, Kurti e sheh si shenjë përgjegjësie për mosçeljen e negociatave me BE-në.

“Besoj se kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka qenë i vetëdijshme se reputacionin që e gëzonte e kishte edhe në bazë pritjeve të qytetarëve, se vendi do të merrte datë për çeljen e negociatave. Pavarësisht kësaj se ajo nuk u arrit, ai veproi me përgjegjësi, dhe konsideroj se ka nevojë të kthehet te populli për të freskuar institucionet dhe për t’ia kthyer qytetarëve edhe njëherë të drejtën për të zgjedhur, se a duhet të vazhdohet në rrugën e njëjtë me njerëzit e njëjtë?”, tha Kurti.

Kurti ka hedhur poshtë mundësinë e mbështetjes së ndonjë subjekti politik në RMV, megjithëse tha se ata duhet të përpiqen për bashkëpunime paraprake për të shmangur garën mes partive të vogla.

“Ne as në të kaluarën nuk kemi mbështetur një subjekt të caktuar. Ne kemi mbështetur një kandidat të caktuar për president. Unë nuk mund të them sot se do të mbështesim këtë, apo atë subjekt, por është me rëndësi që subjektet atje të shohin përcaktimet e tyre dhe sa më shumë bashkëpunim paraprak të mund të bëjnë. Ju e kini parasysh, se unë deri në fund të muajit gusht nuk kam ndaluar përpjekjet për të formuar një koalicion, dhe kam hequr dorë edhe nga numri 1, e të jem numri 2, vetëm e vetëm që gara të mos jetë me shumë parti të vogla”, tha Kurti.

Kurti ka paralajmëruar realizim të dy projekteve infrastrukturore mes Kosovës dhe RMV-së, si funksionalizimi i aksit Gjilan – Kumanovë  dhe Prizren – Tetovë.

Exit mobile version