Site icon PORTALB

Saraçini dhe Ademi nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim me IFC

Saraçini dhe Ademi nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim me IFC

Saraçini dhe Ademi nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim me IFC

Sot ministri i ekonomisë Valon Saraçini dhe ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor Abdilaqim Ademi nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), për përmirësimin e kornizës ligjore për energjinë e rinovueshme.

IFC në Republikën e Maqedonisë zbaton Projektin për energji të ripërtëritshme, si pjesë e një programi më të gjerë ballkanik për energji të rinovueshme, në mënyrë që të krijojë tregun e energjisë së rinovueshme në vendet e rajonit.

“Ky projekt ka për qëllim të ofrojë mbështetje në nxitjen e investimeve në sektorin e energjisë së qëndrueshme/HEC të vogla, përmes promovimit të realizimit të suksesshëm të proceseve të zbatimit  të tenderëve për HEC të vogla, që janë organizuar deri më tani”, tha Saraçini.

Për pesë shpalljet e para ndërkombëtare në Ministrinë e Ekonomisë janë nënshkruar gjithsej 70 kontrata koncesionuese për ujë nga hidrocentralet e vogla, me një investim të llogaritur prej 120 milion euro, ndërsa në bazë të një takse koncesionimi në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë janë paguar mbi 600 milion denarë. 

“Deri më tani, pesë hidrocentrale të vogla janë vënë në veprim, në ndërtim e sipër janë 16, nga të cilat 5 pritet të jenë gati deri në fund të vitit. Dhjetë hidorcentrale të vogla  presin për të marrë miratimin për ndërtim, ndërsa koncesionerët tjerë janë në një fazë të avancuar në kërkimin e miratimit  për ndërtimin “, tha Saraçini.

Në fazë përgatitore është shpallja e gjashtë publike ndërkombëtare, e cila në përputhje me Ligjin për ujërat,  do të zbatohet nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor.
“Në interesin tonë është që këto shpallje të jenë të suksesshme dhe të gjenden investitorë, të cilët i plotësojnë kushtet e përcaktuara në tenderim. Në qoftë se paraqiten zgjidhje më të thjeshta dhe më të qarta rregullatore dhe zgjidhje sistemore në këtë fushë, hyrja e investimeve do të jetë më e shpejtë dhe më efektive”, tha ministri Abdilaqim Ademi./Portalb

Exit mobile version