Pas kërkesës që u ka bërë drejtuesve të shkollave fillore dhe të mesme të Strugës, që të japin dorëheqje nga postet e tyre, kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, ka shkarkuar nga postet e tyre drejtuese, drejtorin e Shkollës Fillore “Vëllezërit Milladinov”, Agni Nexhipi dhe në vend të tij ka emëruar Shkëlqim Aliun. Ai ka shkarkuar gjithashtu edhe drejtorin e Shkollës Fillore “ Ashim Agushi” të Ladorishtit, Sabri Dauti dhe në vend të tij për ushtrues detyre ka emëruar, Nexhat Kolonjën.
Sela ka shkarkuar edhe drejtorin e shkollës së Podgorcit, Fadil Ismailoskin, cili është konsideruar si një nga pengesat për funksionimin normal të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, në këtë shkollë, duke e zëvendësuar me Branisllav Pllshkovskin.
Pas këtij zëvendësimi, Këshilli i prindërve të nxënësve shqiptarë të kësaj shkolle, mësimi në gjuhën shqipe, i të cilëve kontestohej, është shprehur optimist, në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi. Edhe autoritetet e Komunës së Strugës, ndërkaq kanë shprehur angazhimin e tyre që problemi i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në shkollën e Podgorcit të zgjidhet.
Burime, brenda Komunës së Strugës kanë theksuar se, ish drejtori i shkollës së Podgorcit nuk e ka pranuar mirë shkarkimin e tij dhe ka bërë njëfarë rezistence, në mënyrë që të mos e dorëzoj mandatin , por më pas gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve.
Ndërkohë, sipas burimeve afër kryetarit të Komunës së Strugës, në ditët në vazhdim pritet që të vazhdohet me shkarkimin e drejtorëve në institucionet tjera arsimore të Strugës. Kështu, pritet që shkarkimet tjera të ndodhin, të hënën dhe të martën.
Ky burim i deklaroi Portalb-it, se arsyeja për shkarkimin e drejtorëve është se ata nuk kanë arritur të realizojnë objektivat e parapara, si dhe borxhi që u kanë shkaktuar institucioneve që drejtonin.
Nga ana tjetër, mësohet se disa nga drejtorët e shkarkuar do të kundërshtojnë shkarkimin, duke u drejtuar Institucioneve të drejtësisë për të vlerësuar ligjshmërinë e këtyre veprimeve. /PORTALB