Që nga mbrëmja e së martës, ekipet e Forenzikës e Policisë së Kosovës, po qëndrojnë në shtëpinë e 22-vjeçares B. O., ku edhe u gjet e vdekur.
Kjo pasi që Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka cilësuar atë si vdekje të dyshimtë, raporton KTV.
B. O. u gjet e vdekur në oborrin e shtëpisë së saj në Besi të Prishtinës, me plagë në kokë.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti, ka konfirmuar për KTV-në se vdekja ka ardhur nga arma e zjarrit. “Një plumb është gjetur në trupin e viktimës. Deri më tani, ende nuk e dimë nëse ka bërë vetëvrasje ose e ka qëlluar dikush nga afër”, ka thënë Hamiti.
22-vjeçarja ishte dërguar edhe në Qendrën Klinike Universitare, ku ishte konstatuar vdekja e saj. Me urdhër të prokurorit është kryer edhe obduksioni, për të sjellë detaje rreth vdekjes së saj.
E pas kësaj, trupi i është kthyer familjes gjatë ditës.
Familjarët nuk kanë dashur të ndërhyjnë në hetime mirëpo, prapa kamerave kanë thënë se dikush mund ta ketë vrarë të bijën e tyre.
Sipas informacioneve jozyrtare, Kohavisioni ka mësuar se askush nuk ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur rasti.
Gjatë ditës, njësite të Policisë, Forenzikës e Mjekësisë ligjore kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes për prova fizike.
Deri më tani, sipas njoftimeve të Prokurorisë, nuk ka asnjë të dyshuar.
Kohavisioni ka biseduar edhe me fqinj përreth, porse askush nuk kishte dëgjuar të shtëna.