Dita Botërore e Turizmit: Xhamia e Pashës dhe teqeja “Arabati Baba” potenciale turistike të pa valorizuara

Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Turizmit. 27 shtatori është datë që është zgjedhur për të përkuar me një moment të rëndësishëm në turizmin botëror, përvjetorin e miratimit të Statutit të Turizmit Botëror që ndodhi më 27 shtator 1970.

Në zhvillimet e sotme të industrisë turistike një vend të rëndësishëm zë edhe kultura e popujve, me theks të veçantë monumentet historike e kulturore, të cilat përbëjnë pasurinë shpirtërore të tyre. Ato dëshmojnë për jetën që është zhvilluar dhe trashëgiminë kulturore që popujt kultivuan në rrjedhën e shekujve që nga lashtësia “e gjer” në kohën e sotme moderne.

Që të jetë i suksesshëm një produkt turistik duhet të bazohet në atraksionet dhe burimet ekzistuese por të organizuara duke përfshirë këtu edhe insfrastrukturat, kushtet e përgjithshme (facilitetet) dhe shërbimet thelbësore që nevojiten për ta shitur atë dhe për ta dorëzuar te përdoruesit, që në terminologjinë e turizmit kjo njihet ndryshe edhe si valorizim i potencialeve turistike. Në teorinë e ekonomisë turistike termi valorizim përcaktohet si vlerësim apo saktësim i potencialit në turizëm (vlerësim i hapësirës dhe përmbajtjes) të një destinacioni të caktuar, nga aspekti i mundësisë për të bërë biznes me ato të mira materiale dhe jo-materiale për të cilat ka interes turisti.

Valorizimi i pasurive, i vlerave kulturore dhe i objekteve të trashëgimisë është bërë një çështje parësore me shumë peshë në shekullin XXI. Ky element, çmohet kryesisht si element për mbijetesë në kushtet aktuale në çdo nivel nga ai global deri tek ai lokal. Vendet e zhvilluara po bëjnë përpjekje të mëdha për të vlerësuar (valorizuar) trashëgiminë kulturore, duke ruajtur vlerën e saj të brendshme, por në të njëjtën kohë duke nxjerrë në pah rëndësinë në rritje të industrisë kulturore që duhet të gjenerojë vlera e që ndikon në forcimin e ekonomisë dhe mirëqenien e përgjithshme të banorëve vendas ku gjendet e shtrihet kjo pasuri.

Xhamia e Pashes (Xhamia e Larme)
Xhamia e Pashes (Xhamia e Larme)

Tetova ka më shumë atraksione, vende tërheqëse, të njohura turistike dhe objekte me vlera të veçanta si monumente kulture, site turistike, e të cilat paraqesin potenciale turistike që mund të shndërrohen në burime të ardhurash që sjell turizmi. Më të rëndësishmet andaj edhe më të vizituarat janë: Xhamia e Pashës dhe kompleksi i teqesë “Arabati Baba”. Xhamia e Pashës në popull e njohur si xhamia e Larme  është e vendosur në anën e djathtë të lumit Shkumbin, në afërsi të Hamamit të vjetër dhe Urës së Gurit dhe paraqet një atraksion të vërtetë kulturor dhe fetar në qytetin e Tetovës.

Ndërtimi fillestar i Xhamisë daton nga viti 1495. Legatë të saj janë dy: Hyrshidja dhe Mensurja, të cilat janë të varrosura në tyrben tetëkëndëshe në oborrin e Xhamisë. Në vitin 1833, Xhaminë e ka rinovuar dhe zgjeruar Abdurrahman Pasha, andaj edhe e ka marrë emrin e tij. Nga ana arkitekturale Xhamia e Pashës përfaqëson një ndërtim njëhapësinor katror në të cilën janë të ndërthurur e të gërshetuar baroku dhe stili neoklasik osman.

Xhamia e Pashes (Xhamia e Larme)

Ndërkaq objekti tjetër i trashëgimisë kulturore tetovare është Teqeja “Arabati Baba”. Ky është një kompleks i ngritur e i ndërtuar në shekullin e 18 nga Rexhep Pasha dhe djali i tij Abdurrahman Pasha, të cilët përmenden dhe në ndërtimin e Xhamisë së Pashës në Tetovë si dhe të Kalasë së Tetovës. Thuhet por ka edhe të dhëna që flasin për ndërtimin e teqesë. Fillimisht ndërtimin e ka nisur Sersem Ali Baba, si investues dhe ideator i objektit. Sot, Teqeja përfaqëson kompleks objektesh fetare, të grupuara rreth tyrbes (varrit) të Sersem Ali Babës, dervish i cili i përkiste rendit të bektashinjve. Nga këto objekte deri sot janë ruajtur: shatërvani, tyrbja, kulla, çezma, kuzhina – dhoma e ngrënies, konaku i miqve, dervishhania, haremllëku.

Duke u nisur nga statistikat (të cilat nuk përkojnë me realitetin, pasi nuk janë bërë hulumtime me të dhëna të besueshme në terren me qëllim të numërimit dhe konstatimit të numrit të vizitorëve përmes metodave të njohura shkencore) Tetovën e vizitojnë diku rreth 8.000  turist në vit. Ky numër nuk është i vogël duke pasur para sysh se Tetova sot e kësaj dite nuk ka arritur të ndërtojë strategji dhe operativë të mirëfilltë për turizmin në përgjithësi e në veçanti për turizmin kulturor.

Teqeja  “Arabati Baba”, në Tetovë, afër rrënimit
Teqeja “Arabati Baba”

Nëse do të bënim një bilanc të dhjetë viteve të fundit të zhvillimit të turizmit në komunën e Tetovës do të konstatojmë se këtu ka një rritje të numrit të turistëve  por zhvillimi është si të thuash kaotik, që prek dhe dëmton rëndë asetet turistike në shumë zona. Ka një joprofesionalizëm a po thënë më shkoqur një dilentalizëm të theksuar në planifikimin dhe menaxhimin e shërbimeve turistike, ndotje të nduarnduarshme, të të gjitha llojeve,  të ambienteve dhe të ngjashme. Të dhënat nga terreni nxjerrin në pah neglizhencën e grupeve të interesit: pronarëve (në rastin konkret, Bashkësia Fetare Islame), ofruesve të shërbimeve turistike (artizanatet e suvenirëve), qeverisjes vendore, organizatave joqeveritare nga fusha e turizmit etj,.

Midis këtyre problematikave të shumta që shoqërojnë zhvillimin turistik në komunën e Tetovës, duhet përmendur edhe mungesa e guidave të liçencuara turistike për objektet në fjalë.  Kjo situatë shfrytëzohet jo sa e si duhet, pra keqas nga agjencitë turistike, të cilat sjellin guidat e tyre dhe Tetovës nuk i ngel asgjë nga vizitat përveç zhurmës, kaosit dhe bërllokut që lënë vizitorët e shumtë . Intervistat e hëpërhërshme me vizitorët që transmetohen në media e veçmas në televizionet lokale e rajonale, tregojnë se ka mungesë të guidave profesionistë për objektet në fjalë. Guidat turistikë janë jo vetëm ambasadorë të vendit por edhe mbrojtës të aseteve vendore. Guidat turistikë kanë fuqinë e madhe për të ndikuar te perceptimet e turistëve lidhur me cilësinë e produktit turistik thuajse në të gjitha destinacionet.

Për pasojë, ata kanë ndikim të madh në shtimin e numrit të turistëve. Duke qenë se janë pjesë e ofertës turistike janë shumë të lidhur me perceptimin e turistëve mbi eksperiencën e kaluar dhe përjetimet nga këto vizita. Kjo ndikon në rritjen e  të ardhurave të përgjithshme për bizneset e turizmit. Në këto kushte, mendoj se është imediate përgatitja dhe liçencimi i guidave tona, të cilat duhet të marrin në dorë drejtimin dhe përcjelljen e vizitorëve në këto objekte me vlera të mëdha trashëgimore. Rregullimi i këtij problemi përmes përgatitjes dhe liçencimit të guidave turistikë do t’i jepte një tjetër rëndësi, seriozitet dhe mbi të gjitha përgjegjësi vetë zhvillimit të turizmit  kulturor në komunë. Kjo do të rriste interesimin për studime në drejtimin turistik nga njëra anë ndërkaq që nga ana tjetër do të joshte të rinjtë që të përcaktohen në trajnimet dhe aftësimet për guida turistikë.  Shkolla e mesme profesionale e hotelerisë në Tetovë e në veçanti fakulteti Ekonomik – drejtimi Turizëm, pranë Universitetit të Tetovës, janë institucionet relevante të cilat mund ta ofrojnë këtë aftësim për trajnim specifik.

Edhe pse punësimi në turizëm pengohet nga sezonaliteti dhe nivelet e larta të ndryshimeve, ku mund të hyjnë edhe ato të natyrës ligjore, kur bëhet fjalë për turizmin kulturor kjo pengesë zvogëlohet apo vjen e bëhet gati inekzistues, gjë që ndikon në joshjen e të rinjve për punësim në veprimtaritë turistike lokale.

Në mënyrë që të nxitët dhe ndihmohet zhvillimi i turizmit kulturor në Tetovë, mendoj se, duhen që paraprakisht të realizohen synimet e mëposhtme:

  • Ngritja e një organi të veçantë për bashkëpunim mes aktorëve siç janë operatorët turistikë, institucionet gjegjëse republikane (Sektori i zhvillimit të turizmit, pranë Ministrisë së Ekonomisë) por edhe pronarit (BFI) të objekteve në fjalë si domosdoshmëri dhe nevojë në mënyrën e organizimit dhe valorizimmit turistik të vlerave arkitekturale në qytetin e Tetovës. Partnerë të këtij bashkëpunimi mund të jenë dy universitetet; Njësia për zhvillim dhe promovim të turizmit pranë sektorit komunal për zhvillim ekonomik, GIZ, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, OJQ-ët që si fushëveprim kanë Turizmin dhe ruajtjen e ambientit jetësor, etj. Formimi dhe zhvillimi i asociacioneve dhe shoqatave në nivel rajoni dhe nivel vendi, që do të funksiononin si gjenerator i zhvillimit të turizmit si biznes fitimprurës.  Të gjitha këto në drejtim të valorizimit turistik të dy objekteve, por jo vetëm, me rëndësi jetike në ekonomin e qëndrueshme në komunë. Përdorimi i  praktikave më të mira si shembuj për të promovuar dhe organizuar një përdorim më efiçent të aseteve turistike do të ishte një ndihmesë e çmuar.
  • Të identifikohen, promovohen dhe organizohen manifestime dhe panaire pranë këtyre objekteve si dhe të njëjtat të bëhen pjesë e ofertës rajonale turistike,
  • Të bëhet virtualizimi i objekteve të trashëgimisë kulturore me pajisje softverike dhe rrjetëzimi i këtyre objekteve për t’u ofruar në një guid të përbashkët.
  • Të përpilohet një plan strategjik i përbashkët i të gjithë aktorëve për shtimin e vizitorëve.
  • Përmes një bashkëpunimi të organeve dhe institucioneve përkatëse të komunës pa edhe më gjerë në nivel vendi, dhe të caktohen lokacione për parkimin e autobusëve dhe mjeteve tjera të udhëtimit sa më afër objekteve.
  • Të iniciohet hapja e një zyre informative turistike, sa më afër pikave të cekura turistike. Lokalitetet turistike të bëhen të qarta përmes pankartave dhe tabelave informative të gjitha kushtet e vizitave, orareve, pagesave dhe indikatorëve të tjerë, me një fjalë të bëhet sinjalizimi turistik. Krahas këtyre qendrave informative turistike të organizohet shitja e suvenirëve dhe produkteve të tjera që paraqesin vlera etnologjike dhe etnografike të popullatës në komunë dhe më gjerë.
  • Të punësohen disa guida profesionistë të cilët do jenë të çertifikuar dhe njohës të mirë të gjuhëve të huaja angleze, franceze, turke, gjermane dhe të ngjashme. Kësisoj do të krijohen vende të reja pune dhe njëherazi do të joshen të rinjtë të studiojnë në fakultetin ekonomik-Drejtimin turizëm pranë universitetit të Tetovës.
  • Të realizohen një numër aktivitetesh “one stop shop” lokale për promovimin online, të cilat të bëjnë bashkë bizneset dhe mund të shërbejnë si platformë, ku  ofruesit  mund të reklamojnë shërbimet e tyre, dhe të theksojnë disponibilitetin dhe çmimet e shërbimeve guidale apo suvenirëve nga objektet përkatëse.
Dita Botërore e Turizmit
Dita Botërore e Turizmit

Meqë objektet siç janë Xhamia e Pashës dhe Teqeja “Arabati Baba” janë asete të vlefshme kulturore, është e patjetërsueshme që këto vlera të ruhen, konservohen dhe mirëmbahen. Ato herëpashere kanë nevojë për meremetime dhe restaurime të cilat kërkojnë mjete financiare. Mungesa e mjeteve financiare është zakonisht pengesa më e madhe në realizimin e projekteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, sidomos në nivel lokal dhe rajonal jo vetëm në rastin konkret. Për rastin në fjalë grumbullimi i  këtyre mjeteve financiare për mirëmbajtje mund të bëhet përmes shitjes, me çmime qoftë edhe simbolike, të biletave hyrëse për vizitorët. Sipas mendimit tonë planifikimi, organizimi dhe realizimi i pagesave që do të bënin vizitorët si kundërvlerë të vizitave të paguajnë çmim të arsyeshëm, pasi kjo formë gjeneron të ardhura të qëndrueshme, më se të nevojshme për jetëgjatësinë e objekteve të trashëgimisë kulturore.

Për fund mund të themi se destinacioni turistik i qytetit të Tetovës nuk mund të zhvillohet pa një platformë apo strategji aktivitetesh mirë të harmonizuara nga aktorët relevant të sipërpërmendur.  Është evidente se organizimi është i mangët, të mos themi edhe jo-përkatës. Një ndërhyrje e propozuar mund të përfshijë përforcimin e funksionit të hulumtimit të tregut turistik, dhe me theks të veçantë zhvillimin e kapaciteteve për kërkim tregu në formën e analizave të tregut, anketimeve të vizitorëve, kërkim për grumbullim të dhënash apo studime për segmentimin e tregut për të ndihmuar aktorët e turizmit kulturor që të kuptojnë ndikimin ekonomik nga ana e qarkullimeve turistike. Ky veprim me siguri se do të sjellë dobi ekonomike për popullatën lokale që paraqet synimin kryesor të turizmit të qëndrueshëm, si formë më e avancuar e veprimtarisë së përgjithshme turistike. Kjo zatën është reflektim dhe paraqet një si pasqyrë nga përvojat e suksesshme të vendeve të zhvilluara në këtë fushëveprim.

Nga Mislim Zendeli    

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button