Site icon PORTALB

Kosovë, partitë garuese në zgjedhje e lënë në harresë ajrin e ndotur

Prishtinë

Prishtinë, ajri ndotur - foto arkiv

Autoritetet kompetente në Kosovë thonë të kenë marrë masa për parandalimin e ndotjes së ajrit, megjithatë, ata pranojnë se ato janë të pamjaftueshme për të arritur një nivel të kënaqshëm të cilësisë së ajrit, njofton REL.

Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë paralajmëruar se Kosova, në veçanti Prishtina, gjatë stinës së dimrit do të përballen me nivele të larta të ndotjes së ajrit.

Ndërkohë, problematika e ndryshimeve klimatike nuk gjen vend në programet dhe prioritetet e partive politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Gjatë viteve të kaluara, në stinën e dimrit cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pati arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara. Sipas të dhënave të atëhershme të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ambasadës Amerikane, vlerat e PM 2.5 ishin mbi vlerat e lejuara.

Termocentralet (Kosova A dhe B) veturat e shumta të vjetruara, përdorimi i thëngjillit për ngrohje, menaxhimi joadekuat i mbeturinave konsiderohen si burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) ka njoftuar se ndotja e ajrit po kërcënon shëndetin e popullatës. Sipas IKSHP-së, vlerat e PM 2.5 gjatë dimrit pritet të jenë disa herë mbi vlerat normale.

Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritje të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore, do të jenë shqetësuese.

Temë diskutimi në nivel global së fundi kanë qenë ndryshimet klimatike. Në një raport të Kombeve të Bashkuara lidhur me klimën, u theksua nevoja urgjente për transformime shoqërore dhe ekonomike dhe marrje të masave për kufizim të emetimit të karbonit.

Ndërkohë në kohën kur Kosova pritet të ketë një Qeveri të re pas zgjedhjeve që do të mbahen më 6 tetor, subjektet politike të cilat janë në garë, asnjëra nga to në programet e tyre nuk e ka vednosur si prioritet mjedisin.

Merlina Beu – Muçaj, drejtoreshë e organizatës “Green Art Center”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova si çdo shtet tjetër, kontribuon në ndryshimet klimatike dhe në faktorët që ndikojnë në rritjen e ngrohjes globale dhe faktorëve tjerë ndotës.

“Institucionet dhe partitë politike që janë në garë (zgjedhore) duhet të kenë parasysh tashmë se ne jemi të ndikueshëm, qoftë nga benefitet, qoftë nga dëmet që vinë si pasojë e ndryshimeve klimatike në nivel global. Po ashtu, jemi edhe ata që e kemi impaktin tonë në nivel global. Kjo nënkupton që në nivel lokal duhet të merren masa dhe duhet të përcaktohen prioritetet dhe të zbatohen ato”.

Në dy vitet e fundit, shton Beu – Muçaj, Ministra e Mjedisit ka bërë zbatimin e disa masave që ndikojnë në cilësinë e ajrit ujit dhe tokës, por, sipas saj, kjo nuk mjafton pasi që duhet një zbatim më rigoroz i masave për mbrojtje të ajrit.

Exit mobile version