Ndihma e Shpejtë, shpërndarja e veturave të Bujqësisë drejt përfundimit

Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk ka njoftuar se, drejt përfundimit është shpërndarja në institucione shëndetësore e veturave që u dhuruan nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU).

Nga atje kanë njoftuar se, pa shpërndarë ka mbetur vetëm vetura e dedikuar për Shtëpinë e Shëndetit të Makedonski Brodit.

“Janë përgatitu vendimet për dhënie në shfrytëzim të përhershëm të veturave nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave në institucionet shëndetësore siç vijon: Spitali Klinik – Manastir, Spitali Klinik – Tetovë, Shtëpia e Shëndetit – Shtip, Spitali i Përgjithshëm – Gostivar, Spitali i Përgjithshëm  me veprimtari të zgjeruar – Kavadar, Shtëpia e Shëndetit – Makedonski Brod, Shtëpia e Shëndetit – Dellçevë dhe Shtëpia e Shëndetit – Vinicë. Procedura për pranim-dorëzimin e veturave është në rrjedhë. Javën e ardhshme duhet të pranohet-dorëzohet edhe vetura e dedikuar për Shtëpinë e Shëndetit – Makedonski Brod, dhe të gjitha veturat e MBPEU-së do të jenë në funksion për nevojat e institucioneve shëndetësore”, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë.

Përndryshe, këto janë tetë veturat të cilat MBPEU-ja ia dhuroi Ministrisë së Shëndetësisë për fuqizim të kapacitetit të shërbimit të ndihmës së shpejtë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo erdhi pas aksidentit të Llaskarcës, pasi aty dolën në pah edhe numri i vogël i autoambulancave të këtij shërbimi. veturat e MBPEU-së kanë funksion vetëm për transport të pacientëve, dhe jo për punë në terren. Para se të shpërndahen në institucionet shëndetësore, i janë nënshtruar procedurës së pajisimit për adaptim me kushtet dhe nevojat e shërbimit të ndihmës së shpejtë.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka hapur thirrje për prokurim publik të shtatë autoambulancave të Ndihmës së Shpejtë, të cilat do të shpërndahen në shtëpitë e shëndetit jashtë Shkupit. Sipas shpalljes, kriter është çmimi më i ulët dhe ofertat do të mund të dorëzohen më së voni deri më 1 tetor të 2019-s. Mjetet nga këto autoambulanca do të sigurohen nga mjetet e kursyera prej blerjes së 12 autoambulancat për të cilat u nënshkrua marrëveshje në dhjetor të 2018-s. 6 prej tyre janë në Shtëpinë e Shëndetit të Shkupit, 6 të tjera në: Strugë, Dibër, Kërçovë, Krushevë, Kriva Pallankë dhe Berovë. Të gjitha kanë kapur vlerën prej vlerën prej 21.591.564,48 denarë, nga 30 milionë denarë të planifikuara. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button