Kadri Veseli, kandidati për kryeministër PDK-ja, ka thënë se njerëzit që punojnë tokën janë kudo njerëzit më të përkushtuar dhe më të ndershëm.
“Të tillë janë edhe fermerët tanë, që me mund dhe djersë mbajnë familjet e tyre. Fermerët e Prizrenit, që sot i takova, por edhe të gjithë Kosovës, në qeverisjen time do të kenë përkrahje shumë më të madhe”.
“I kuptojmë nevojat e tyre, prandaj edhe do t’i rrisim investimet në sistemet e ujitjes, do ta rrisim kapitalin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive dhe do ua subvencionojmë deri në 80 për qind interesin e kredive për prodhim”.
I kuptojmë rreziqet e punës, prandaj edhe do t’i sigurojmë produktet bujqësore dhe do të investojmë më shumë në ndërtimin e infrastrukturës moderne për grumbullimin, ruajtjen dhe paketimin e prodhimeve bujqësore. Prodhimet bujqësore të tokës sonë do t’i përkrahim dhe në tregun e brendshëm përmes Ligjit të Përkrahjes së Produkteve Vendore”, ka shkruar Veseli në Facebook.