Site icon PORTALB

Aurela Gaçe kolegëve: Po i blini klikimet në You Tube

Aurela Gaçe kolegëve: Po i blini klikimet në You Tube

Aurela Gaçe

Këngëtarja Aurela Gaçe ka pohuar atë që u zbulua më herët nga Ardit Gjebrea, se këngëtarët shqiptarë blejnë klikime në internet, për të shtuar famën e tyre.

“Klikimet e blera në You Tube ekzistojnë. Unë vetë e provova që të vërtetoja atë që kisha dëgjuar, atë që flitej. I dhashë 40 dollarë dhe u bënë 40 mijë klikime.Në një ditë, në një këngë që nuk është as e njohur nga ju, e as me video. E pashë se loja e pisët që po bëjnë këngëtarët, ishte më se e vërtetë”, ka shënuar këngëtarja në rrjetin social Facebook.

“Nuk jam kundër asnjë këngëtari, sepse nuk mund ta vendos gishtin mbi askënd, derisa nuk kam fakte. Sigurisht ka shumë këngëtarë që kanë famë në të gjitha trojet shqiptare dhe i mbushin sallat e i duan ngado që shkojnë,” ka sqaruar tutje Gaçe.

Ajo ka folur për këngën e saj “Origjinale”, e cila ka më së shumti klikime, por ka sqaruar se ajo këngë u dëgjua anembanë trojeve kudo ku ka shqiptarë,dhe sot e këndojnë në kor kudo qe ajo është në koncerte.

“Kam edhe shume këngë të tjera që kanë shumë më pak klikime, por kjo nuk do të thotë të shkoj e të blej klikime false që t’u tregoj juve se kam sukses,” ka shënuar tutje Gaçe, duke sqaruar se edhe numri i fansave në Facebook, nuk është bërë brenda një dite, pasi faqja ekziston prej vitesh./Portalb

Exit mobile version