Site icon PORTALB

Talibanët e hoqën ndalesën për Kryqin e Kuq në Afganistan

Afganistan, fotografi nga arkivi.

Afganistan, fotografi nga arkivi.

Talibanët në Afganistan kanë hequr një ndalesë për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe kanë ofruar garanci për sigurinë e stafit të Kryqit të Kuq, që bëjnë punë humanitare në Afganistan.

“Emirati Islamik ka rikthyer garancionet e sigurisë për Kryqin e Kuq në Afganistan dhe ka këshilluar të gjithë muxhahedinët që të lejojnë aktivitetet e kësaj organizate dhe t’u ofrojnë siguri punëtorëve”, thuhet në një deklaratë të talibanëve, transmeton REL.

Në muajin prill, talibanët vendosën një ndalesë për Kryqin e Kuq dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duke thënë se këto dy organizata po kryenin aktivitete “të dyshimta” që lidheshin me fushatën e tyre të vaksinimit.

Megjithatë, në deklaratën e sotme të talibanëve, nuk përmendet heqja e ndalesës për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka zhvilluar një fushatë për vaksinimin kundër polioz në Afganistan, shtet ku kjo sëmundje është shndërruar në epidemi.

Talibanët kontrollojnë mbi gjysmën e 410 qarqeve të Afganistanit.

Exit mobile version