Hahn: Nëse nuk keni liri te medias, nuk hyni dot në BE

Komisari në largim, për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka thënë sot se nuk do të ketë progres në rrugën drejt BE-së, për asnjë vend të Ballkanit Perëndimor,  nëse këto vende nuk sigurojnë dhe garantojnë liri të medias dhe liri të  shprehjes, përcjell Portalb.mk.

“Liria e medias është e kërcënuar, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por në krejt botën. Por ndikimi në vendet në tranzicion, si ato në Ballkanin Perëndimor, është më i dëmshëm, duke pasur parasysh brishtësinë e procesit të transformimit. Prandaj, ne e vendosëm lirinë e mediave si një element kryesor të sundimit të ligjit në qendër të Strategjisë sonë për Ballkanin Perëndimor. ”, tha ai në një videomesazh me rastin e fillimit të konferencës “Ditët e medias BE-Ballkani perëndimor 2019”, që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.

Sipas tij, mesazhi i BE-së është i qartë si kristali.

“Nuk mund të keni përparim në rrugën drejtë Bashkimit Evropian duke mos i respektuar liritë e mediave dhe lirinë e shprehjes. Kjo është arsyeja pse ne po fillojmë dhe mbarojmë procesin e pranimit në BE me kapitujt 23 dhe 24. Dhe ne do ta ndjekim atë me shumë vëmendje në mënyrë që standardet e kërkuara të BE-së në këtë sektor jo vetëm të miratohen në legjislacion, por edhe të zbatohen. Kjo do të thotë që gazetarëve duhet t’u jepen kushte të mira dhe profesionale për të bërë punën e tyre të rëndësishme profesionale në mënyrë të pavarur – dhe natyrisht pa kërcënime dhe sulme. Komisioni Evropian gjithmonë do të jetë i përkushtuar në mbrojtjen e lirisë së mediave.”, shtoi ai.

“Ditët e medias BE-Ballkani perëndimor 2019”
“Ditët e medias BE-Ballkani perëndimor 2019”

Komisioni Evropian për herë të tretë organizon Ditët e Medieve BE-Ballkani Perëndimor  që do të mbahen në Podgoricë, më 12 dhe 13 shtator 2019. Ngjarja, që u nis në 2017, ka për qëllim të sigurohet që liria e medieve të mbetet prioritet në ballafaqimin me çështjet e ndërlikuara politike, ekonomike dhe sociale që i përjeton rajoni për momentin. Ngjarja e këtij viti do të hedh dritë mbi marrëdhënien mes politikave dhe medieve. Për herë të parë, Ditët e Medieve do të përfshijnë përfaqësues politik nga rajoni që do të jenë përgjegjës për informata dhe medie për shkëmbim të drejtpërdrejtë përvojash në panelin “Politikat dhe mediet”.

Konferenca, vitin e kaluar është organizuar në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button