Kosovë: Gjykata ka caktuar masë paraburgimi ndaj të dyshuarve për grabitje të bankës

Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj dy të dyshuarve K.H dhe A.L për veprën penale të grabitjes së armatosur të bankës, ngjarje që ndodhi ditë më parë në Shtime, njofton REL.

“Të pandehurit dyshohen se më 2 shtator 2019, në filialin e bankës Raiffaisen në Shtime, me qëllim që t’i sjellin vetes dobi pasurore të kundërligjshme, paraprakisht kanë përgatitur planin për kryerjen e kësaj vepre duke i ndarë rolet dhe duke vepruar si anëtar të grupit të pajisur me armëgjysmë automatike, të maskuar së bashku me dy persona të tjerë të paidentifikuar, kanë hyrë në Raiffaisen Bankë dhe nën kërcënimin e armës kanë detyruar punëtorët t’u dorëzojnë parat, me ç’rast kanë marr rreth 2.540 euro dhe 290 franga, ndërsa në dalje të bankës disa herë kanë gjuajtur me armë dhe kanë ikur në drejtim të fshatit Jezerc, ku kanë djegur veturën kombi me qëllim të zhdukjes së provave”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Grabitjet e armatosura në filiale të bankave dhe bizneseve private, kohëve të fundit, janë bërë shqetësim për qytetarët e Kosovës.

Në fund të dhjetorit të vitit 2018, në Istog, një zyrtar policor kishte mbetur i vrarë në detyrë pasi tentoi të kapte një të dyshuar për grabitje të bankës, ku më pas, i vrarë mbeti edhe personi i dyshuar për plaçkitje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button