Site icon PORTALB

Kosovë, edhe Nisma dhe AKR-ja e regjistruan koalicionin në KQZ

Fatmir Limaj dhe Behxhet Pacolli (Foto FB nga AKR)

Fatmir Limaj dhe Behxhet Pacolli (Foto FB nga AKR)

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është zyrtarizuar edhe koalicioni i tretë, ai në mes të Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, njofton Koha.net.

“Ju njoftoj se kemi pranuar deklarimin e tretë për Koalicion Parazgjedhor ndërmjet 3 Partive Politike: Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë”, ka thënë për Koha.net, Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.

Ky është koalicioni i tretë pas atij të tri partive boshnjake dhe koalicionit mes AAK-së dhe PSD-së.

Derisa Endrit Shala nga radhët e Nismës ka shprehur bindjen e tij se koalicioni Nisma-AKR-Partia e Drejtësisë do të dalë fitues në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Kandidat për kryeministër e ka Fatmir Limaj, i cili do të jetë një koalicion fitues i zgjedhjeve të vitit 2019. Pas zgjedhjeve do të shohim mundësitë për bashkëqeverisje me partitë e tjera. Ne si Nismë kemi pasur për synim të kemi 10 plus (deputetë), por me këtë bosht të koalicionit do të dalim fitues të zgjedhjeve”, ka thënë Shala.

Derisa kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka theksuar se ky koalicion është koalicioni më stabil dhe determinues i këtyre zgjedhjeve.

“Boshti politik i përbërë nga NISMA, AKR dhe PD sapo aplikoi në KQZ për të garuar bashkërisht në zgjedhjet e 6 tetorit. Ky koalicion është koalicioni më stabil dhe determinues i këtyre zgjedhjeve. Koalicion fitues. Koalicion i zhvillimit, i cili do t’i adresojë shqetësimet e qytetarëve të Kosovës. Na priftë e mbara”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Exit mobile version