U kthye nga Gjermania dhe realizoi ëndrrën e saj në vendlindje (FOTO)

Pasi kaloi gjashtë muaj në Gjermani si e papunë, ajo vendosi që të kthehet vullnetarisht në Kosovë për t’iu përveshur zanatit të saj të vjetër – rrobaqepësisë.

“Unë jam person i riatdhesuar që morra rrugën ilegale në kërkim të një jete më të mirë në Gjermani”.

Janë  këto fjalët e para të rrobaqepëses Sadije Bekteshi e cila ishte pjesë e migrimit masiv të vitit 2015.

 

Ajo thotë për klankosova.tv se nuk e zgjodhi mënyrën e duhur për t’u larguar nga Kosova teksa iu bën thirrje të rinjve kosovarë që të mos ikin.

Pasi kaloi gjashtë muaj në Gjermani si e papunë, Sadija vendosi që të kthehet vullnetarisht në Kosovë për t’iu përveshur zanatit të saj të vjetër – rrobaqepësisë.

Me ndihmën e Programit për Ri-integrimin e Personave të Kthyer, Sedija e hapi një dyqan të rrobaqepësisë në Obiliq që i përshtatet në mënyrë të përkryer përvojës dhe aftësive të saj.

“Me t’u kthyer nga Gjermania, jam njoftuar se GIZ-i gjerman në bashkëpunim me ministrinë e Punëve të Brendshme e kanë themeluar një program për t’i ndihmuar personat e riatdhesuar”, thotë Bekteshi.

“Zanatin e rrobaqepësisë e kam pasur, por të them të drejtën më është dashur edhe një përkrahje financiare dhe falë Zotit ajo përkrahje më është ofruar”.

Se a do ta kishte zgjedhur opsionin e migrimit të parregullt nëse do ta kishte pasur biznesin para se të nisej për në Gjermani, Sadija theksoi se “asnjëherë nuk do ta kisha marr atë hap”.

Për t’u informuar më shumë rreth Programit të Riatdhesimit, Klan Kosova e ka intervistuar shefen e Departamentit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane, Anja Becky.

Ajo ka thënë se pas fenomenit të migrimit masiv, është themeluar DIMAK – qendër kjo ku mund të informohen qytetarët e Kosovës rreth mënyrave të migrimit legal në Gjermani si dhe mundësive që ofrohen për të qëndruar në Kosovë.

“Migrimi ekonomik është ndër faktorët kryesorë dhe nëse njerëzit gjejnë punë këtu apo u krijohen mundësi për të jetuar; atëherë ata mund të qëndrojnë në Kosovë”.

Ndërsa, Rrahim Trepça i cili është këshilltar në projektin DIMAK, ka deklaruar se rasti i Sadije Bekteshit është një ngjarje suksesi për të gjithë personat tjerë të cilët kanë shkuar në Gjermani në mënyrë të parregullt në valën e madhe të migrimit 2014-15.

“Pas një qëndrimi gjashtëmujor, ajo Sadije Bekteshi e ka parë se shanset për ta fituar një azil ekonomik janë pothuajse zero; prandaj ka vendosur që vullnetarisht të kthehet në Kosovë”.

“Në momentin që është kthyer, ka gjetur përkrahje prej GIZ-it gjerman dhe ministrisë së Punëve të Brendshme ku është mbështetur fillimisht me një grant për ta hapur një rrobaqepësi – gjë që ka qenë ëndërr e saj e kamotshme”.

I pyetur nëse ka shumë të rikthyer tjerë që kanë përfituar grante për të hapur biznese, Trepça tregon se ka me mijëra të tillë.

Falë mbështetjes institucionale, rrobaqepësja Bekteshi ka arritur që ta përmirësojë statusin e saj ekonomik në shoqërinë kosovare.

Ajo tani menaxhon një biznes me dy punonjës dhe tre praktikante në Obiliq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button