Uta Ibrahimi tregoi si është lënduar në Valbonë dhe si është për momentin (FOTO)
Alpinistja nga Kosova, Uta Ibrahimi ka konfirmuar informacionet se është lënduar në Valbonë, ndërkaq ka premtuar se do të rikthehet edhe më e fortë për t’iu ngjitur majave të tjera, transmeton Portalb.mk.
Ajo ka deklaruar se përveç nyjave dhe ligamenteve të këmbës, të thyera i ka edhe eshtrat e thembrës së këmbës së djathtë, ndërkaq është shprehur falënderuese ndaj të gjithë personave që e kanë ndihmuar gjatë këtij procesi.
“Gjendja shëndetësore: Përveç lëndimeve të rënda në nyje dhe ligamenteve të këmbës, gjithashtu janë keq të thyera eshtrat e thembrës së këmbës së djathtë – më saktë 4 gishtat në disa copa, copa-copa, dhe gishti i madh ne 8 copë që duhet intervenim mjekësor shumë shpejt … e që ma bënë të pamundur vazhdimin e ekspeditave për këtë vit e gjithashtu, trajnimeve, punës e jetës normale për disa muaj
Alpinistja Ibrahimi ka sqaruar në detaje se si ka ardhur deri te lëndimit.
“Është e vërtetë, e kam pas një aksident në Valbonë, datë 27.08 rreth orës 16:00 gjatë zbritjes nga tentimi për ngjitjen në Majën e Rragamit / Faqja Veriore, një rrugë teknike – bashkë me Aurelin.
Në zbritje, afër përfundimit të ngjitjes teknike, lëviz një guri rreth 50 kg, fillimisht në këmbën e majtë dhe në trup i cili përfundon në thembër të këmbës së djathtë dhe një përplasje edhe ma tutje te poshtë. Fillimisht e kemi lajmëruar Nor Hysaj – i cili pastaj ka lajmëruar të gjithë njerëzit e tjerë e te cilët kanë ardhur shumë shpejt deri afër vendit të aksidentit. Në ndërkohë, ne kemi zbrit edhe nja 1 orë me litar deri në pikën kur më skam mund me ec më. Kanë ardhur ekipi i shpëtimit nga Valbona -Sami Hysaj, Arben Selimi, Nor Hysaj, Saimir Kalbaj, Keli Selimaj, Skender Selimaj, Erind Zalli, Ermali dhe të tjerë, të cilët për 6 orë më kanë bart te poshtë, deri te deri te qasja ma e afërt në rrugë, ku edhe kanë arritur ekipi i Shba Sharrit: Reshat Cana, Osman Uka, Fahmi Derda dhe Deni Hameli dhe ekipi i Shba Pashtrikut: Daja Lam dhe Besnik Dujaka. Aty ka qenë edhe Policia dhe Ekipet e Ndihmës së shpejtë të cilët janë kujdesur për mua”, ka deklaruar mes tjerash Ibrahimi.
Ndërkohë, Ibrahimi ka shpërndarë edhe fotografi në të cilat shihet vendi ku ka ndodhur lëndimi dhe gjendja e saj shëndetësore.