Jam në mbledhje me peshë të komisionit për shkencë. E marr fjalën e them: Kam një ide: t’i mbledhim pezhorativat ose më mirë pejorativat me prapashtesën sh. Aty, në mbledhje, janë emra me merita partiake.
E para e punës, thotë njëri, ti vëllaçko nuk ke “thirrje”.
Nuk të kuptoj, ia kthej. Çfarë është “thirrje”.
Po, asistent i ri, ta zëmë, docent, profesor .
Aha, për titull shkencor, e paske?!
Tjetër është titull, tjetër “thirrje”, ma kthen plot “autoritet shkencor”. Nuk e çoj më tutje.
Mirë, de… e përfundoj bisedën. Mezi ia dal të kthehem te ideja. Për pejorativat ose siç e kanë bërë zakon t’u thonë pezhorativa desha ta them ndonjë fjalë.
Më fal më thotë njëri “me thirrje”, çka janë këta pezhorativa a pejorativa?
Po… dua unë t’i tregoj.
Prit, prit, këtë mesele e zgjidh fjalori. E merr fjalorin “ai me thirrje”, e shfleton. Nuk e paskaaa këtë fjalë fjalori, më thotë me një triumfalizëm provinicial duke e zgjatur a-në e fundit të foljes për ta forcuar habitoren.
Nuk e shpjegon as “thirrjen” që ke ti, e ngre zërin pak unë. Nuk ka në fjalor as “thirrje”, për shkak se atë që e mendon ti si thirrje fjalori e ka – titull. Pra ti paske titull shkencor. Ai përsëri e shfleton fjalorin. E sheh dhe hesht.
Nejse de… bën. Si e mendon këtë idenë tënde për t’i mbledhur pezhorativat a pejorativat? Hajt ta dëgjojmë ç’do të thotë pejorativa? Ta shoshisim, ndërhyn ai me “thirrje”. Të tjerët e kthejnë shikimin me një qëndrim që flet për kënaqësinë e tyre se “ai me thirrje” më ka zënë ngushtë.
Hajt të të shohim, i fërkon duart një tjetër, po ashtu me “thirrje”.
Pejorativi është fjalë me kuptim shpotie, talljeje. Nga latinishtja peiorativus – peioare: përkeqësoj diçka, e theksoj për të keq ndonjë veti, shëmtoj.
Nejse, nejse… Ta votojmë.
Të gjithë i ngrenë gishtat. Kështu e ka demokracia te ne. Futet atje ku nuk e ka vendin. Fundi: katër me tre për propozimin tim.
Epo… them unë.
Mirë… Po si e ke menduar këtë?
Të dalim të mbledhim fjalë.
Kush?
Unë dhe nja tre a katër vetë nga ju…
Ja merre këtë kushëririn tim, thotë njëri. Edhe këtë e kam djalë vëllai, shton tjetri… Edhe këtë… U bëmë katër veta. Unë dhe të fisit e të vllaznisë.
Edhe një herë duhet ta shpjegoj idenë pse të mbledhim pejorativa. Them se fjalori ynë është fare modest. Nuk i ka përfshirë këta pejorativa aq të nevojshëm për gjuhën tonë. Pastaj edhe një herë kërkojnë ta shpjegoj kuptimin e fjalës pejorativ ose pozhorativ siç kanë dëshirë ta quajnë disa. Por shokët e komisionit duan edhe shembuj. I lodh shpjegimi. I jap edhe shembujt: voksh, gjungsh, përjargsh, përllomsh etj. Dhe përfundoj: tash në punë! Të sillni sa më shumë fjalë.
Kthehemi nga terreni. Kanë sjellë ndonjë fjalë interesante, por nuk i kanë lënë pa i përfshirë në fletore as shembujt që ua kam thënë unë. Kurse njëri nga këta i ka sjellë edhe këto fjalë që s’janë pejorativa që bëhen me prapashtesën karakteristike sh. Ja cilat fjalë i kishte sjellë: qortauk, budallë, hajvan… I shikoj unë fjalët, pastaj e ngre kryet e shikoj edhe atë terrenësin tonë. Ai ka qëndrim të një autoriteti shkencor.
Dëgjo koleg, i them. Nuk janë këto fjalë që i kërkon projekti ynë. Neve na duhen pejorativat me prapashtesën sh. Ke qenë të kërkosh nëpër Derven. Derveni vlon nga këta pejorativa. Është madje një fjalë shumë simpatike dervenase e që të shkon ty: PANTULLEPAJKSH. Veçmas tash kur ke “thirrje” të avancuar të pëtgjigjet shumë.
Të tjerët qeshin.
U pëlqen pejorativi.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.