Maqedoni-Kosovë, ku mbetën letërnjoftimet?

Mundësia për të kaluar kufirin vetëm me letërnjoftime edhe me fqinjët tanë kosovar, duhet të realizohet nga fillimi i vitit të ardhshëm. Kështu të paktën thonë nga Qeveria e Maqedonisë duke siguruar se nga ana e tyre çdo gjë është gati por janë në pritje të palës Kosovare për të rregulluar dokumentacionin e duhur, gjegjësisht të shpërndan letërnjoftime biometrike, me qëllim që ky projekt të realizohet.

“Pas marrëveshjes së nënshkruar me Republikën e Shqipërisë për për kalim të kufirit nga qytetarët e dy shteteve vetëm me letërnjoftime, të njëjtën presim ta bëjmë edhe me Kosovën. Presim që Qeveria e Kosovës të shpërndan numrin e nevojshëm të letërnjoftimeve biometrike me çka do të plotësohen kushtet për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë. Mund të them se kjo do të ndodh së shpejti, për shkak se kemi të formuara grupe pune nga të dyja palët dhe po punohet intenzivisht në këtë drejtim” – tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Nga Ministria e Brendshme e Kosovës thonë se sa i përket vullnetit politik, por edhe anës ligjore dhe teknike gjithçka është gati, përveç që pritet pajisja e qytetarëve kosovar me letërnjoftime biometrike.

“Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, z. Bajram Rexhepi dhe Ministrja e Brendshme e Maqedonisë zonja Jankullovska kanë arritur pajtueshmëri që me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve të të dyja vendeve të mundësohet kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim, një praktikë kjo që tashmë të dyja vendet e zbatojnë me shtetet tjera. Sa i përket anës teknike dhe ligjore gjithçka është gati, mbetet vetëm edhe Republika e Kosovës të fillojë pajisjen e qytetarëve të saj me letërnjoftime biometrike, proces ky i cili do të fillon në pjesën e parë të vitit 2013, në mënyrë që të konkretizojmë këtë iniciativë e cila pa dyshim që do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve të të dyja vendeve. Kjo ka qenë edhe pjesa e fundit që është dashur për tu përmbushur para se të bëhet një marrëveshje e tillë” – tha për Portalb Fisnik Rexhepi, këshilltar politik i Ministrit të Brendshëm të Kosovës.

Shqiptarët e Maqedonisë mbeten të lidhur me bashkëkombësit e tyre në Kosovë dhe Shqipëri si në aspektin farefisnor, shoqëror, po edhe ekonomik dhe mundësia për të kaluar kufirin vetëm me letërnjoftime do të ishte një lehtësim i madh për to.

Marrëveshje të tillë Republika e Kosovës ka me Shqipërinë dhe Malin e Zi, ndërsa Maqedonia deri tani vetëm me Shqipërinë./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button