Site icon PORTALB

Zaevi i tregoi vijat e kuqe për Ligjin për prokurori publike (VIDEO)

Kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev

Zoran Zaev

“Edhe njëherë të ju tregoj, se vijat e kuqe nuk do të tejkalohen, dhe ato janë: garancia për të ardhmen e lëndëve, garancia për të ardhmen e PSP-së, strukturat dhe standardet ndërkombëtare të sistemit të prokurorive publike, dhe kjo do të qëndrojë”, kështu deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nga Kumanova, në lidhje me procesin e tejkalimit të dallimeve për Ligjin për Prokurori Publike nga grupet e punës opozitë – pushtet, transmeton Portalb.mk.

Zaevi është deklaruar i inkurajuar nga tejkalimi i dallimeve për dy çështje, ndërkaq paralajmëroi se varianti përfundimtar i Ligjit për Prokurori Publike do të publikohet më 26 gusht 2019.

“Unë jam i inkurajuar, sepse siç më informoi grupi i punës, respektivisht zëvdësministri i Drejtësisë, se dy punë të rëndësishme janë përmbyllur. Kjo jep shpresë se mund të vazhdojmë më tej, të bisedojmë. Tashmë është caktuar takimi tjetër, të vazhdohet në pikat tjera. Ne do të bëjmë çmos që të mund të ndërtojmë konsensus. Megjithatë, deklaratat që vijnë nga VMRO-DPMNE-ja, se kot që punojnë grupet e punës, nuk do të ketë votim, nëse nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ajo është një porosi serioze, por kjo nuk na deinkurajon. Derisa Kuvendi nuk punon, grupet e punës mund të vazhdojnë të punojnë, derisa më 26 gusht do ta propozojmë edhe variantin përfundimtar të zgjidhjes ligjore”, tha më tej Zaevi.

Përndryshe, zv/ministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski, pas takimit të djeshëm që u mbajt në Qeveri, ka deklaruar se me opozitën janë hapur temat për financim të Prokurorisë, por edhe përgjegjësia e prokurorëve.

Ndryshe, edhe pse u paralajmërua se do të ndodh në fund të muajit korrik 2019, seanca plenare për Ligjin për Prokurori Publike me të cilin parashihet Prokuroria Speciale Publike të kalojë në Prokurori Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë, është caktuar për më 27 gusht, pas pushimit vjetor të deputetëve. Ligji parasheh që hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore të ndodhin më së voni deri më 15 shtator 2019, pasi 7 ditë para të jetë shpallur në Gazetën Zyrtare. Do të miratohet me procedurë të shkurtuar, ndërkaq janë të nevojshme 2/3 e votave të deputetëve, të cilat ende nuk janë siguruar.

Opozita maqedonase VMRO-DPMNE ka propozuar variant tjetër të Ligjit, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim ka paralajmëruar propozimin edhe të dy ndryshimeve, e kurse partitë tjera problemin e kanë me shefen e PTHP-së për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë dhe ajo të mos jetë Villma Ruskovska, siç propozoi kryeministri Zoran Zaev. Për këtë, në Maqedoninë e Veriut gjatë javës së kaluar kanë realizuar takime eurokomesari për fqinjësi dhe zgjerim, Johanes Han dhe ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-ve për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker të cilët në mesazhin kryesor të tyre, kishin miratimin e Ligjit për Prokurori Publike apo përcaktimin e ardhmërisë së PSP-së.

Propozim-ligji parasheh:

“Bombat” që janë në gjykata do të procesuohen, të tjera do të shkatërrohen.

Exit mobile version