Zjarr në RTK, ndërpriten transmetimet

Zjarri që ka rënë në ndërtesën e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka bërë që të ndërpritet tërësisht transmetimi i programit televiziv. Incidenti ka ndodhur sot rreth orës 2:30, pas mesnate, transmeton gazeta “Jeta në Kosovë”.

Të lënduar nuk ka, por për shkak të rrezikut nga ndonjë avari më e madhe, zjarrfikësit kanë kërkuar që të ndërpritet rryma në tërë ndërtesën.

Bekim Hasani, drejtor i Televizionit, gjatë një deklarate të tij dhënë Radio Kosovës në mëngjesin e sotëm, ka thënë se zjarri fillimisht ka rënë në njërën nga bodrumet e ndërtesës së televizionit.
“Aty është edhe një pjesë e arkivit. Dëmet nuk janë shumë të mëdha në arkiv, por për shkaqe sigurie, është dashur të ndërpritet energjia elektrike në tërë ndërtesën”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, shkaqet e rënies së këtij zjarri ende nuk dihen. “Në fillim punëtorët e ndërrimit të natës janë munduar ta fikin zjarrin, por meqë zjarri ka qenë më i madh, atëherë ata kanë lajmëruar zjarrfikësit”, tha drejtori i Televizionit.

Hasani ka sqaruar se për shkak të vështirësive të zjarrfikësve për të depërtuar më shpejt me pajisjet e tyre në bodrumin e ndërtesës ku ishte zjarri, atëherë edhe tymi ka përfshirë ndërtesën nga brenda.

“Me sugjerimin e policisë dhe të zjarrfikësve është dashur të ndërpritet energjia elektrike dhe rreth orës 6 të mëngjesit është ndërprerë tërë transmetimi televiziv”, tha Hasani.

“Sapo të qartësohet situata, stafi është i gatshëm menjëherë të rinisë transmetimin”.

Ndërkohë, sipas portalit të RTK-së, zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë zjarrin dhe kanë konstatuar se flaka ka ardhur nga një zyrë e Arkivit Qendror në bodrumin e ndërtesës./gazetajnk.com/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button