Site icon PORTALB

Të enjten dhe të premten në Shkup vijnë Hani dhe Rikeri

Johanes Han dhe Filip Riker

Johanes Han dhe Filip Riker

Të enjten dhe të premten, 24 dhe 25 korrik në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) do të vijnë eurokomesari për politikë fqinjësore dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE), Johanes Han dhe ndihmës-sekretari shtetëror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Evropë dhe Euro-Azi, Filip Riker, njofton Portalb.mk.

Hani do të realizojë nesër takime me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Zoran Zaev dhe liderin e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Temë e takimeve do të jetë realizimi i reformave të rëndësishme për procesin e integrimit të RMV-së në BE.

Meqë vizita vjen një ditë pasi Qeveria e RMV-së e dorëzoi në Kuvend Ligjin për Prokurori Publike me të cilin trasohet ardhmëria e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), pritet që temë diskutimi i takimeve të jetë edhe miratimi i këtij ligji.

Në kuadër të kësaj, me fillim në orën 09:15, në Klubin e Deputetëve do të mbahet konferenca për shtyp Zaev – Han.

Rikeri të premten në Shkup

Ndërkaq Rikeri do ta vizitojë Shkupin më 25 korrik 2019. Gjatë kësaj, ai do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, deputetë dhe përfaqësues të opozitës.

Konferenca për shtyp Zaev – Riker do të mbahet në Media Qendrën e Qeverisë, me fillim prej ora 10:20.

Temë e diskutimit do të jenë çështjet bilaterale dhe rruga e Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s dhe BE-së.

Rikeri në Shkup vjen pas vizitës që ai e realizoi në Greqi, ku u takua me shefin e diplomacisë, Nikos Dendias, ish kryeministrin Aleksis Cipras dhe me përfaqësues të tjerë të qeverisë.

Exit mobile version