Rruga tek ura që e lidh Likovën, Haraçinën dhe Hasanbegun, e njohur si R101, është më e rrezikshmja e kësaj ane.
Kjo për faktin se hyrje-daljet e saj nga autostrada nuk janë të rregulluara siç duhet dhe thuajse çdo javë ndodhin ndeshje, ndërsa ka pasur edhe raste kur kanë përfunduar në mënyrë fatale dhe janë shënuar dhjetra viktima.
Këtë e konfirmon edhe vetë kryetari i Komunës së Haraçinës Bastri Bajrami, por edhe qytetarët të cilët qarkullojnë cdo ditë andej. Bastri Bajrami, ka njoftuar me këtë problematikë edhe ministren Gordana Jankullovska, por edhe Nevzat Bejtën, nga të cilët ka marrë garanci se do të rregullojnë atë.
“Unë kam njoftuar edhe ministren e punëve të brendshme edhe atë të pushtetit lokal për këtë udhëkryq. Kjo është një pikë e zezë, çdo javë kemi incidente, kemi mbi dhjetë viktima në këtë vend. Këtu kur është rregulluar atëherë me projektet rruga regjionale 101, si duket nuk është bërë ashtu siç duhet dhe tani shpresojmë se në të ardhmen edhe ky vend të rregullohet, pasi që gjatë stinës së dimrit kemi edhe më shumë incidente këtu. Kjo rrugë R101 është rruga me frekuentim që lidh Kumanovën, Likovën, Haraçinën dhe Hasanbegun. Prandaj kisha apeluar të merret një iniciativë sa më shpejtë dhe të mos pësojnë qytetarët” tha Bajrami.
Në vend ngjarje ka qëndruar edhe Nevzat Bejta, ministër i pushtetit lokal, i cili premtoi që në afat sa më të shkurtë të zgjidhet ky problem.
“Kemi dalë këtu tek udhëkryqi për shkak se kryetari i Komunës na njoftoi se këtu ka shumë aksidente dhe si ta zgjedhim këtë problem, për këtë do të angazhohemi në Qeveri. Ashtu siç është zgjedhur problemi në udhëkryqin e Zdunjes në Komunën e Gostivarit, e njëjta të zgjidhet edhe në udhëkryqin që është në suaza të Komunës së Haraçinës dhe ka lëvizje të madhe të veturave, që në të ardhmen të mos ketë aksidente dhe mos të pësojnë qytetarët, çdo gjë e bëjmë në interes të qytetarëve” tha Bejta.
Qytetarët e Haraçinës, nuk kanë nguruar të shprehin pa kënaqësinë për rrugën në fjalë, madje rastisëm edhe në të tillë të cilët personalisht kanë bërë ndeshje në të njëjtin vend.
.
.
.
.
Kjo rrugë është në territorin e Komunës së Gazi Babës, por nën ingerenca të Qytetit të Shkupit, pasi me rrugët regjionale udhëheq Qyteti i Shkupit dhe Agjensioni Rrugët e Maqedonisë. ./Portalb