Të gjithë manovrat e dyshimta të Katica Janevës

Më 9 nëntor vitin e kaluar, derisa policia e kërkonte ish kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski në shtëpinë e tij, për ta vuajtur dënimin me burg për rastin “Tenk”, Prokuroria Speciale Publike (PSP) bëri të ditur se është duke hapur hetim të ri me emrin e koduar “Perandoria”. Vëmendja e opinionit që ishte fokusuar se ku është Gruevski, në jashtëzakonisht shpejtë u ridrejtua kah hetimi i ri i PSP-së në të cilën prokuroria kishte dyshime për krim të rëndë 10 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

Në rastin “Perandoria” të dyshuar ishin biznesmeni kontrovers Orce Jordan Kamçev, ish shefi i shërbimit sekret të DSK-së Sasho Mijallkov, menaxheri i firmave të Kamçevit – Nenad Josifoviq, pronari i fabrikës Pelisterka – Cvetan Pandeleski, nëna e Orce Kamçevit- Ratka Kunoska Kamçeva, motra e Kamçevit- Hristina Kamçeva Stojçeska dhe nënshkruesit në firmën e Kamçevit- Zorica Arsovska, Liljana Gajdovska, Vlladisllav Stajkoviq, Todor Mirçevski, Dejan Janev, Vançe Mijallçev dhe Jovançe Taskovski. Baza për hetimin – për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale grup i strukturuar kriminel, shkaktim i dëmit ose favorizim të kreditorëve, keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, mashtrim dhe pastrim të parave dhe të ardhurave tjera që burojnë nga vepra penale.

Pikërisht nga nëntori i vitit 2018 fillojnë edhe veprimet për “tregti me ndikim” për rastin “Reket” që e zbardhi Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar – lëndë në të cilën të dyshuar janë dy persona, pronari jozyrtar i 1TV- Bojan Jovanovski, i njohur si Boki 13 dhe Zoran Milevski, me nofkën – Zoki Kiçeec. Emri i Milevskit gjatë kësaj dekade lidhet me ish shefin e policisë sekrete, Mijallkov – në qarqet nëntokësore si realizues i bizneseve të ndyra.

Të dy janë nën hetim pikërisht për shkak se atë muaj – nëntor 2019, kanë filluar të kërkojnë para nga një person i dyshuar, nëpërmjet ndikimit te një prokuror publik, për të ndërprerë procedurën penale ose i dyshuari të fitojë rrethana lehtësuese. Emri i prokurorit nuk është publikuar zyrtarisht, por spekulimet kanë shkuar në atë drejtim sa që s’ka dyshim se bëhet fjalë për gruan e parë të PSP-së – Katica Janeva.

Prokurorët publikë, Villma Ruskovska dhe Lubomir Jovevski në pres konferencë kanë refuzuar të tregojnë nëse i akuzuari tek i cili janë thirrur të dyshuarit është Katica Janeva e cila ka dhënë dorëheqje nga funksioni shefe e PSP-së edhe atë në të njëjtën kohë kur Bojan Jovanovski u arrestua në kalimin kufitar Bogorodicë duke tentuar të arratiset – që ishte sinjal indikativ.

Mirëpo pavarësisht pre-supozimit të pafajësisë në të cilin referohen në Prokurori për atë se për cilin prokuror bëhet fjalë, informatat jozyrtare tregojnë që hetimi pritet të mbarojë pikërisht në majën e PSP-së dhe rasti “Perandoria” – që fiton kuptim nëse shqyrtohen një sërë hapash të dyshimtë të cilat i ka ndërmarrë pikërisht PSP-ja për të dyshuarit në këtë rast.

PSP me qëndrime të kundërta për paraburgimet për Kamçevin dhe Mijallkovin

Me kërkesë të PSP-së, pesë të dyshuarve në Perandoria u është shqiptuar paraburgim – ndër ta për Jordan Kamçev, Sasho Mijallkov dhe Cvetan Pandeleski. Gjithashtu me kërkesë të PSP-së, Gjykata solli aktvendim edhe për masë të përkohshme, konfiskim të pronës së ShPTSh Orka Hollding SHA Shkup dhe ShPTSh Eksiko SHPKNjP Shkup. Më 14 dhjetor, 2018, PSP-ja dhe Gjykata do ta refuzojnë garancinë prej 14 milionë euro që Kamçev e ka ofruar që paraburgimi në burg t’i zëvendësohet me paraburgim shtëpiak.

Megjithatë, vetëm dy javë më vonë në fund të dhjetorit, për shkak të rrethanave të paqarta, PSP-ja vet propozoi që Kamçev të shkon në paraburgim shtëpiak, këtë herë pa garanci. Pas reagimeve në opinion, Janeva në përpjekje ta sqarojë manovrën e këtillë të PSP-së ka thënë që “janë siguruar të gjitha provat dhe se “prezenca e të dyshuarve në paraburgim në është e nevojshme” për shkak se ata më nuk mund të ndikojnë mbi dëshmitarët ose ta përsërisin veprën. 

Por, përkundër këtij qëndrimi të Janevës nga fundi i dhjetorit në vitin 2018 që të dyshuarit nuk mund të ndikojnë më mbi dëshmitarët, në shkurt të vitit 2019  PSP doli me vlerësim krejtësisht të kundërt. Në arsyetimin që PSP e dërgoi në Gjykatën Supreme me kërkesë të vazhdohet paraburgimi shtëpiak për Kamçev thuhet që “nevojitet të bëhet intervistimi i një numri më të madh dëshmitarësh dhe nëse lëshohet të mbrohet në liri do ta pengojë procedurën penale”. Me vendim të Gjykatës Supreme, Kamçev, Mijallkov dhe Pandelevski dolën edhe nga paraburgimi shtëpiak.

Vërshimi i dokumenteve për “Perandoria”

Prapë se prapë, skandalet me “Perandoria” nuk përfunduan këtu– vetëm një muaj më vonë pas lirimit të Kamçev dhe Mijallkov nga paraburgimi, u publikua nga mediat, e jo nga PSP, që në hapësirat e kësaj Prokurorie ka shpërthyer gyp dhe se janë lagur edhe dokumentet pikërisht në lidhje me rastin “Perandoria”.

“Për shkak të amortizimit të instalimit të përgjithshëm për ngrohje qendrore në objektin ku është vendosur PSP-ja, ka rrjedh një nga gypat e atij sistemi, me ç’rast është kapur edhe pjesë e dokumentacionit të disa lëndëve që janë duke u realizuar nga kjo Prokurori publike, ndër të cilat “Perandoria”, “Treqind” dhe “Spiuni”.

Gjatë kësaj, duhet të kihet parasysh që në këtë Prokurori publike dokumentet skanohen, por nëse konstatohet që ka dokumente që nuk janë konvertuar në formë elektronike, do të kërkohet rigjenerimi i tyre. Aktualisht po shqyrtohen shkaqet për defektin konkret dhe po zbatohet procedurë e brendshme për të përgatitur regjistrim të ri dhe vlerësim i dëmit të përgjithshëm. Përndryshe, nga ana e PSP-së janë siguruar si objekti, ashtu edhe aparatura” – ishte përgjigja që PSP-ja e dërgoi për emisionin 360 shkallë.

Kthesë e re – Janeva ia kthen pasaportën Kamçevit

Në maj të këtij viti Orce Kamçev të cilit me kërkesë të PSP-së ju morën dy pasaportat që i ka poseduar – i Maqedonisë dhe Bullgarisë, i tërë publiku e pa atë në Këln, Gjermani në ndeshjen finale Vardar-Vesprem në Ligën e Kampionëve në hendboll.

Kërkesën për t’iu dhënë leje për dokument të përkohshëm për udhëtim Kamçev e ka dërguar tek gjyqtari i procedurës paraprake me arsyetim që ka udhëtime zyrtare që nuk mund të prolongohen. Gjykatësi i procedurës paraprake është drejtuar te PSP-ja prej nga ka pranuar mendim pozitiv për të lëshuar dokument udhëtimi me afat të kufizuar prej 8 muajsh.

Prokurorja speciale publike Lile Stefanova e cila e drejton lëndën “Perandoria” në pres konferencë në PSP e drejtoi tërë barrën mbi shefen e PSP-së – të gjitha dokumentet për paraburgime dhe për pasaporta i ka nënshkruar personalisht Katica Janeva. Me këtë hap, Stefanova u distancua krejtësisht dhe hedhur poshtë çdo mundësi për involvim të saj personal të drejtpërdrejtë dhe me atë edhe përgjegjësi, duke e hedhur tërë fajin mbi Janevën.

“Nuk kam frikë që mund të jem e involvuar në hetimin e ri. S’kam përse të jem e involvuar. Nuk e di nëse zonja Janeva duhet të ketë frikë. Për këtë do ta pyetni atë”, tha Stefanova.

Davidoviq: Nuk ekziston asnjë arsyetim për Janeva nëse kjo është e vërtetë

Tërë rasti duhet të zgjidhet dhe me ligj të parandalohet mundësia që në të ardhmen të paraqiten trupa gjyqësor që s’kanë kurrfarë përgjegjësie – ka komentuar për NOVA, avokati Zvonko Davidoviq.

“PSP ishte shpresë për popullin – por pritshmëritë nuk u plotësuan. Nëse spekulimet janë të vërteta ajo është e paimagjinueshme. Kishte rrjedhje dhe publikim të bisedave të përgjuara, kishim situata – dërgoje në paraburgim, pastaj liroje, merrja pasaportën, pastaj ktheja, ngrirje të pronës – lirim të pronës. Gjithë kjo krijon imazh shumë të keq dhe hap dyshime për punën e prokurorisë. Paramendoni person të cilit ia keni besuar të gjitha bisedat e përgjuara, i keni dhënë pushtet të jashtëzakonshëm në duar, i keni dhënë buxhet marramendës të cilin s’e ka askush, i keni siguruar qendër hetimore – ai person tani të reketojë njerëz dhe të merr pjesë në punë të tilla me persona të dyshimtë për të cilët po zhvillohet hetimi, kjo është e paimagjinueshme dhe nuk ekziston asnjë arsyetim për sjelljen e këtillë”, thotë avokati Davidoviq.

Davidoviq thekson që duhet ketë dënim drakonian, ndërsa Prokuroria për krim të organizuar të mos thirret në pre-supozim të pafajësisë, për shkak se bëhet fjalë për interes publik. Ai pret që PSP-ja të inkorporohet në prokurorinë publike dhe hetimet e hapura të vazhdojnë – ndër të cilat edhe për lëndën “Perandoria”.

Ristovska: Hetimi për “Perandoria” duhet të vazhdojë

Prokurorja speciale publike Lençe Ristovska në pres konferencë në PSP tha që hetimi për “Perandoria” duhet të vazhdojë edhe përkrah spekulimeve që pikërisht person i dyshuar në këtë rast është dëshmitar në Prokurorinë për krim të organizuar.

“Bazë për ndërprerje të hetimit nuk mund të jetë procedurë tjetër e cila paralelisht zhvillohet për vepra tjera penale. Çdo procedurë është individuale dhe duhet të hetohen konstatimet në atë”, ka thënë Ristovska.

Nëse kemi prova për vepër të kryer penale do të vijojë aktakuzë, nëse nuk gjejmë informata të tilla hetimi ndërpritet – nuk mund të paragjykoj si do të mbaron”, ka thënë Ristovska.

Prokuroria për krim të organizuar paralajmëroi që hetimi për Reket do të vazhdojë – prokurores Janeva i është konfiskuar celulari për të analizuar çfarë ka qenë lidhja me Bojan Jovanovski i cili së bashku me Zoki Kiçeec janë në paraburgim 30 ditor.

Çka i lidh Janevën dhe Boki 13

Afërsia ndërmjet Janevës dhe Boki 13 ishte evidente – ata kanë postuar fotografi të përbashkëta në Instagram, ndërsa Janeva e punësoi si jurist edhe birin e saj, Llazar Janev, në televizionin 1TV  ku Jovanovski prezantohej si pronar, edhe pse formalisht pronar është babai i tij. Janeva fotografohej me Boki 13 edhe në festa private – ditëlindje dhe në takime pune dhe prezencë në 1TV. Boki 13, përveç me Janevën në Instagram ka postuar fotografi edhe me politikan nga pushteti, që ishte mesazh i qartë se ai e ka thith pushtetin e tij jo vetëm nga televizioni por edhe nga njerëzit e parë në garniturën qeveritare.

Para vetëm dy javëve Bojan Jovanovski në intervistë në televizionin e tij 1TV në pyetjen si i komenton publikimet që ka reketuar biznesmenë u përgjigj: Nëse me Katica Janevën kemi bërë keqpërdorime me klientë deri tani do të kishim bërë kërdi”. Mesazhi i tij i fundit në atë intervistë ishte përkujtim që ai është rreptësisht qendra e pushtetit – “një nga çelësat e Kutisë së Pandorës është në duart e mia” – ka thënë Jovanovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button