ASH: Ligji i ri për arsimin fillor në RMV të tërhiqet, krijon segregacion gjuhësor dhe etnik

Partia ”Aleanca për Shqiptarët” (ASH) propozon që Ligji për arsim fillor të tërhiqet sepse sipas tyre, është rikthim i ligjit që u propozua para një viti dhe i cili pas kritikave të shumta u tërhoq. Në një reagim të partisë nga ASH propozojnë të formohet grup punues nga të gjithë partitë politike dhe ekspertë nga universitetet që të përgatitet një ligj bazuar në teorinë e organizimit të sistemeve dhe praktikave bashkëkohore, njofton Portalb.mk.

Sipas kësaj partie, ligji ka disa probleme: në aspektin funksional, strukturor dhe institucional.

“Në aspektin funksional suprimon pushtetin komunal nga ai qendror dhe realizon segregacion gjuhësor dhe etnik në sferën e arsimit.” thuhet në kumtesë.

“Në aspektin strukturor edhe më tepër e kufizon arsimtarin në kreativitetin e tij duke e ngarkuar edhe më tepër me administratë, e duke mos i lejuar hapësirë për të hulumtuar metoda, teknika dhe forma bashkëkohore për mësimdhënie interaktive. Nuk realizon caktimin e kritereve të qarta  për ngritjen dhe gradimin profesional  të arsimtarit.” thuhet në kumtesë.

“Në aspektin institucional kemi  një gërshetim kompetencash  që  bëjnë zgjidhje të pakuptimta  mes organeve dhe hierarkisë  si në shtrirjen horizontale ashtu edhe në atë vertikale.” thuhet në kumtesë.

Me suprimimin  e pushtetit komunal dhe segregacionin etnik dhe gjuhësor, kjo parti nënkupton “të vetmen të drejtë që kishte kryetari i komunës për të zgjedhur drejtor, një nga dy kandidat të propozuar nga këshilli drejtues i shkollës, me propozim ligjin e ri duhet të zgjedh veç drejtorin e zgjedhur nga këshilli drejtues i shkollës (neni 104).”

Më tej, ASH-ja thotë se sa i përket segregacionit etnik dhe gjuhësor, arsimtari shqiptar nuk mund të krijojë marrëdhënie pune pa mos e dhënë provimin për njohje të gjuhës maqedonase, në qendrën  shtetërore për provime edhe pse proklamohet se gjuha shqipe është zyrtare. Kjo nuk vlen për arsimtarin maqedonas, për njohje të gjuhës shqipe,  që duhet të ligjëroj  lëndën e gjuhës maqedonase në paralelet shqiptare (neni 81. al.3).

“Me gojën plot theksohej se duhen reforma, arsimtari përsëri është i ngarkuar me administratë dhe i stresuar nga politika. Ligji i ri vazhdon që arsimtarin ta ngarkoj me punë administrative dhe me dëshirat e komisioneve të formuar nga politika, nga të cilët varet  gradimi dhe zhvillimi profesional i tij.

Nuk mund të kuptohet që në aspektin institucional një ligj të konstituohet në atë formë që një organ të kryej zgjedhjen ndërsa tjetri organ që nuk është pjesëmarrës dhe nuk mund të ndikojë në zgjedhje, të vërtetoj zgjedhjen nga organi tjetër, apo siç është rajonizimi ku nga njëra anë flasim për rajonizim ndërsa në alinenë tjetër mundësojmë  që mos të përfillet (neni 59).

Më këtë propozim ligj  me “procesin inkluziv” shkohet me degradimin edhe të shtresës më të ndjeshme të shoqërisë, fëmijëve me nevoja të veçanta, pasi në vend që të shkohet me kombinim që disa orë të realizohen në paralelet e rregullta  për socializim dhe pjesën tjetër të procesit mësimor në paralele të veçanta, propozohet mbyllja e këtyre paraleleve prej vitit 2022. Paramendoni paralele me 30 nxënës ku tre prej tyre janë me nevoja të veçanta (neni 176).” thuhet në kumtesën e partisë “Aleanca për Shqiptarët”.

Të mërkurën, ministri i Arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi para mediave e prezantoi Ligjin e ri për arsim fillor.

LEXO: RMV, me Ligjin për arsim mësimdhënësit do të kenë pagë varësisht avancimit në punë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button