Site icon PORTALB

Gostivar, Ndërmarrja e parkingjeve filloi të lëshojë bileta javore, dy javore dhe mujore për parkim zonal

Biletat e parkingut

Biletat e parkingut

NP “Parkingjet publike dhe gjelbërimi” prej sot fillon me lëshimin e biletave javore, dyjavore dhe mujore për parkim zonal, njofton Komuna e Gostivarit, transmeton Portalb.mk.

“E futëm këtë shërbim me qëllim që gjatë qëndrimit në vendlindje, mërgimtarëve t’ua lehtësojmë parkimin e automjeteve, sepse viteve të kaluara kishim ankesa nga ana e tyre se hasin në vështirësi gjatë dërgimit të sms porosive sepse kryesisht përdorin celularë me numra të jashtëm. Por, kjo nuk do të thotë se këto lehtësime nuk do të mund t’i shfrytëzojnë edhe banorët e përhershëm të komunës së Gostivarit”, thotë drejtori i ndërmarrjes, Bekim Çelebiu.

Nga kjo ndërmarrje njoftojnë po ashtu, se do të hiqen nga përdorimi bllokatorët dhe se ata të cilët do t’i parkojnë makinat pa paguar shërbimin, do të zbatohen gjoba përkatëse.

Në pjesën qendrore të qytetit do të hapen pika pagesore, ndërsa lokacionet qytetarët do të mund t’i identifikojnë shumë lehtë, sepse në xhamat e shitoreve ku mund të sigurohen biletat do të ngjiten etiketa me mbishkrimin: Parking tickets.

Komuna e Gostivarit apelon deri te të gjithë qytetarët që tu përmbahen rregullave për parkim zonal, me çka do të shmangin situatat e padëshirueshme për ata vetë, si dhe do të kontribuojnë që të vihet rend në parkim dhe në trafikun rrugor në përgjithësi.

Exit mobile version