Princesha Haya, bashkëshortja e zv/presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, njëherësh kryeministër i vendit dhe emir i Dubait, ka braktisur të shoqin dhe jeton me “frikë për jetën e saj” në Londër, ku është fshehur, shkroi media britanike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmi në BBC, Haya (45), një nga gjashtë gratë e emirit Al Maktoum (69), nga Gjermania, ku muajin e kaluar iku për të kërkuar azil, ka kaluar dhe fshihet në kryeqytetin britanik Londër.
Haya, me origjinë nga Jordania dhe e arsimuar në Britani, aktualisht thuhet se jeton në një shtëpi në zonën Kensington Palace në Londër me vlerë prej 85 milionë funtash, theksohet në raportimin e BBC-së.
Po ashtu, në lajm thuhet se ikja e princeshës Haya ka të bëjë me arratisjen e princeshës Latifa, bijës së emirit, e cila më herët është kapur në tentativë për të ikur nga EBA.
Duke cituar burime të afërta të princeshës, BBC shkroi se Haya, e cila ka mësuar fakte të reja rreth kapjes dhe kthimit të Latifas, ka marrë vendimin për të ikur nga vendi pasi nuk është ndier e sigurt. Siç pohohet më tej, Haya jeton në Londër me frikën se mund të “rrëmbehet” nga ana e EBA-së.
Mundësi për krizë diplomatike
Siç theksohet, në rast se EBA kërkon kthimin e princeshës, atëherë kjo mund të shkaktojë një krizë diplomatike, ndërsa Haya po përgatitet të kërkojë të drejtën e saj në Gjykatën e Lartë britanike kundër një kërkese të tillë.
Rasti mbart probabilitetin të shkaktojë probleme edhe midis EBA-së dhe Jordanisë, pasi Haya është gjysmëmotra e mbretit jordanez Abdullah.
Më herët, Al Maktoum ka postuar një poezi në Instagram, vargjet e së cilës aludonin në një “tradhti” nga një grua, që ishte komentuar se ka të bëjë me ikjen e princeshën Haya.
Ndryshe, vajza e Al Maktoum-it, Latifa, vitin e kaluar u kap në ujërat e Indisë teksa me ndihmën e një francezi po përpiqej të arratisej nga vendi. Shumë mbrojtës të të drejtave të njeriut në botë kishin pohuar se Latifa është kthyer kundër vullnetit të saj dhe e kishin cilësuar rastin si “rrëmbim”.
Al Maktoum ka 23 fëmijë nga tri gra.